Një ditë para Kuvendit Kombëtar të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, në Tiranë mbërritën zyrtarë të lartë amerikanë.
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar zhvilluan sot takime me kryeministrin Edi Rama.
Në të njëjtën kohë ata u takuan edhe me kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj si dhe deputetët Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi.
Në njoftimin e ambasadës amerikane Alibeaj, Tabaku dhe Bardhi cilësohen si drejtues të opozitës.
“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.