Nuk kanë fund telashet për Besën. Verdhezinjtë do të udhëtojnë sot në Lezhë me mungesa të rëndësishme. Kur njihet organika e cunguar, stresi për stafin teknik shtohet. Në të tria repartet do të ketë nga një mungesë, duke filluar me prapavijën që nuk do të ketë shkodranin Armenis Kukaj, në mesfushë do të mungojë kavajasi Arbër Deliu dhe në sulm Edmond Hoxha. I pyetur në prag të kësaj përballjeje nga “Panorama Sport”, Dorjan Bubeqi zihet ngushtë dhe hapur e thotë: “Kundër fatit nuk luftohet”. Përtej të gjithave, trajneri paralajmëron se nuk do futen në fushë të dorëzuar.
“Çfarë t’ju them. Kur më duhej një formacion pa mungesa, 3 lojtarët dëmtohen. Janë titullarë në tri repartet dhe nuk e fsheh se nuk kam stol për t’i zëvendësuar kokë më kokë.
Në pankinë kam futbollistë të U-19 dhe përballë një ekipi si Besëlidhja do ta kemi mjaft të vështirë.
Nëse lezhjanët nuk do të kishin nevojë jetike për pikë, ndoshta do shpresoja te mrekullia.
Por me këto mungesa të rëndësishme përballë një kundërshtari që ka cilësi dhe luan në fushën vet, do të jetë një ndeshje tej mase e vështirë. Sigurisht që në futboll ndodhin të gjitha dhe Besa nuk do të udhëtojë e dorëzuar, por do të tentojë shanset e saj.
Prandaj, nëse më pyesni për objektivin ju them: qoftë dhe një barazim do të ishte i vlefshëm. Besa do të luajë për të mos humbur”.
– Arena e Lajmit