Trajneri Emiljano Çela ka besim se Kastrioti është më lart se Egnatia, ndaj sot nuk do të diskutohet fitorja, me të cilën do të realizonin objektivin primar. Në prononcimin për “Panorama Sport”, trajneri Çela pohoi se e presim me padurim skuadrën rrogozhinase, që është e fundit që i ka mundur në kampionat. Ndeshja me Egnatian, a mund të ketë vlera të dyfishta për Kastriotin? Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, është finalja e radhës, pasi të gjitha javët kanë qenë finale. Jam shumë i lumtur për gjithë ecurinë e ekipit, po e përsëris edhe një herë, pavarësisht se çfarë mund të thonë disa pseudoanalistë, sepse këtu në Shqipëri janë shtuar shumë këto kohët e fundit, merita e këtyre djemve është e padiskutueshme. Kemi përballë një rival, që për mendimin tim është më i dobët se Kastrioti, qoftë në cilësi apo në mënyrat e lojës. Do Zoti të ndodhë siç ata janë shprehur, që do të na përgjigjen me armën tonë më të fortë, agresivitetin. Shpresoj të bëhet një ndeshje e bukur, e luftuar, por jam i bindur se ekipi nuk do ta lërë që të na rrëshqasë kjo ndeshje.
A e keni grupin e plotë për këtë takim?
Jemi të plotë, dhe në superformë. Me padurim po e presim këtë ndeshje. Kemi kohë që mendojmë për këtë sfidë dhe shpresoj që të fitojë më i miri.
Humbjen e fundit e keni pikërisht ndaj Egnatias…
Është histori tjetër, nuk ka lidhje.
Pritet të ketë tifozë, sa i kanë munguar Kastriotit gjatë kësaj kohe?
Tifozët janë një mbështetje shumë e madhe për ekipin tonë, pasi gjatë gjithë kohës e ndjejmë mungesën e tyre. Nëse ata do të vijnë të na mbështesin masivisht, do të jetë një bonus shumë i madh për ekipin gjatë ndeshjes, si dhe për shpirtin e garës.
Në rast fitoreje, mund të pretendojë Kastrioti diçka më tepër pas kësaj ndeshjeje?
Nëse kalojmë me sukses këtë ndeshje, ne realizojmë objektivin tonë primar. Patjetër që të gjitha ndeshjeve me radhë do ua bëjmë hyzmetin, do t’i përgatisim po njësoj. Nuk do ta ulim ritmin e përqendrimit dhe as ritmin e punës, pastaj se çfarë na sjell e ardhmja duhet parë. Nëse për ne e ardhmja ka rezervuar gjëra të mira, ne i mirëpresim.
– Arena e Lajmit