Partia Demokratike mbledh sot në 10:00 Kuvendin Kombëtar të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit. Kjo mbledhje ishte parashikuar më 22 mars, por u shty për në maj pas ngjarjeve që pasuan si pasojë e zgjedhjeve lokale të 6 marsit me qëllimin e bashkimit të demokratëve.
Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se numri i delegatëve të Kuvendit Kombëtar është reduktuar me vendim të Kuvendit të 11 dhjetorit 2021, thirrur nga Sali Berisha, duke qenë se në kohën e Lulzim Bashës numri i anëtarëve ishte rreth 7 mijë.
Tkurrje do të ketë edhe Këshilli Kombëtar i PD-së. Nga rreth 470 anëtarë që kishte në kohen e ish-kryetarit Basha, delegatët tashmë do të zgjedhin 150 dhe do të votohen po nga delegatët për një ndryshim statutor, që në Këshillin Kombëtar të jenë pjesë edhe kryetarët e degëve të PD-se, gjithashtu edhe deputetët.
Sipas burimeve, do të jene 20 folës, prej të cilëve figura të rikthyera në PD, themelues, personalitete nga jashtë dhe të rinj. Ndër vendimet e tjera delegatët do të votojnë për zgjatjen e mandatit të Komisionit të Rithemelimit, deri në zgjedhjen e kryesisë së PD-së, ndërsa pritet të vendoset edhe data e zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike.