![cela-konferenca-2-600x450-1 Cela Konferenca (2)](https://www.arenaelajmit.com/wp-content/uploads/2022/05/cela-konferenca-2-600x450-1.jpeg)
Palermo, Itali
Prokurori i Përgjithshëm Z. Olsian Çela merr pjesë në Konferencën Evropiane të Prokurorëve në Palermo. Ushtrimi efektiv i profesionit të prokurorit dhe rritja e bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të ndryshme lidhur me promovimin e standardeve Evropiane dhe të shtetit ligjor, pjesë e diskutimeve.
Prokurori i Përgjithshëm po merr pjesë në Konferencën Evropiane të Prokurorëve që po zhvillohet në Palermo në datat 5-6 maj. Ky takim është organizuar në kuadrin e presidencës italiane të Këshillit të Evropës dhe është fokusuar në çështje që lidhen me pavarësinë, autonominë dhe llogaridhënien e prokurorëve.
Pjesë e diskutimeve në këtë Konferencë janë çështje të zhvillimit të standardeve dhe udhëzimeve lidhur me karrierën e prokurorëve dhe ushtrimin efektiv të profesionit të prokurorit si dhe rritjes së bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të ndryshme lidhur me promovimin e standardeve Evropiane të shtetit ligjor.
Përgjatë aktivitetit do të trajtohen gjithashtu çështje që lidhen me sigurimin e një roli efektiv të prokurorisë në lidhje me krimet ambientale si dhe sfidat që paraqesin krimet financiare në realitetin virtual, edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën penale.
Konferenca u hap nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Italisë Z. Giovanni Salvi dhe u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës Znj. Marija Pejcinovic Buric. Sesioni përfundimtar i saj do të zhvillohet në memorialin e Giovanni Falcones dhe Paolo Borselinos dhe do të përshëndetet nga Presidenti i Republikës së Italisë Sergio Mattarella.