Disa ditë më parë e akuzoi Interin antik për sa i përket stilit të lojës, ndërkohë që mjaftuan disa zëvendësime dhe ekipi u rrëzua keqazi ndaj Bolonjës. Arrigo Saki rikthehet të analizojë garën e titullit dhe konceptet nuk pranon t’i ndryshojë.
E dorëzoi Interi titullin me atë humbje ndaj Bolonjës?
Le të themi që janë penguar, por që mund të ringrihen. Ndaj Bolonjës në 30 minutat e para luajtën shumë mirë, por futbolli të ndëshkon nëse nuk qëndron i fokusuar në të gjithë harkun e ndeshjes.
A ju duket edhe juve se ekipi i Inzagit nuk ka një plan B?
Interi është një skuadër me vlera. Inzagin e njoh mirë, është një djalë i adhurueshëm dhe mendoj se situatat po i menaxhon mirë, por ndonjëherë skuadra e tij i lëshon shumë terren kundërshtarit. Për të fituar kampionatin, nuk mund të bazohesh vetëm te kundërsulmet. Interi ka më shumë teknikë dhe përvojë se Milani, por i mungon përvetësimi i koncepteve të trajnerit.
Pra, është një skuadër tipike italiane?
Për sa kohë nuk do të ushtrojë trysni si duhet dhe nuk do të ketë një qarkullim cilësor të topit zikaltrit do të kenë probleme në skenat ndërkombëtare. U nevojitet bindje në forcën e tyre dhe që të ruajnë distancat. Nëse një ekip qëndron i mbledhur në 30 metra, nuk ka rival që mund t’i dëmtojë rëndë.
Ka të tjera problematika Interi?
Në fazën mbrojtëse nuk ka përse të ketë 1 ose 2 lojtarë më shumë se rivali. Duhet rrezikuar për të arritur objektiva të caktuar. Te Milani im i kapnim shpesh rivalët në pozicion jashtë loje e kjo ndoshta sepse merrnim rreziqe përsipër. Një kampionat i mbyllur mirë duhet që të mos përfundojë me pengje.
A kanë të tilla te Milani?
Pak, por jo aq sa Interi. Tani kanë fatin e tyre në dorë dhe mund t’ia dalin nëse luajnë si skuadër, mbrojnë e sulmojnë me 11 lojtarë dhe të mos i zërë paniku. Në jetë, e jo vetëm në futboll, fitoret arrihen me strategji. Taktika nuk mjafton gjithmonë.
Pra, le të presim një fund sezoni me xixa?
Po, sepse gjatë gjithë sezonit surprizat kanë qenë në rend të ditës. Maldinit i kam bërë komplimente sepse sido që të përfundojë kampionati, kuqezinjtë kanë bërë diçka të madhe e që pakkush do ta kishte parashikuar një vit më parë.
Arena e Lajmit