Familjarët e 31-vjeçarit Ilvi Meta i cili sipas policisë ka vrarë veten brenda komisariatit të Kavajës mbrëmjen e djeshme, kanë dyshime të forta për këtë version. Ata shprehen se vrasja e të riut është e rrethuar nga misteri dhe se nuk besojnë se ai ka vrarë veten, por se është vrarë nga efektivët e policisë.
Djali i xhaxhait të viktimës thotë se nga kqyrja që i ka bërë trupit, ka dyshime se ai nuk ka vrarë veten.
“Unë e kam kontrolluar trupin bashkë me të atin dhe djalin e xhaxhait tjetër, dyshohet që është mbytur, e para, ka shenja në qafë, shenja është përpara jo pas, e dyta, është e vërtetë që është mbytur me pjesën e kapuçit, siç u tha në versionin e fundit të policisë. Fakt tjetër, kur e kemi kontrolluar, kur njeriu mbytet, fytyra nxihet sepse nuk qarkullon gjaku, fytyra e tij ishte borë e bardhë, shumë e rregullt, sikur sapo kishte ndërruar jetë, tjetër gjë është që sytë i kishte të hapur dhe ishte duke buzëqeshur, dhe sot po të shkojmë dhe ta hapim, ai është duke buzëqeshur. Si mundet një njeri që është duke i dhënë fund jetës të jetë duke buzëqeshur? Edhe nëse e kanë mbytur, prapë si mund të buzëqeshësh?!
Diçka tjetër, në trup, prej autopsisë nuk ka shenja dhune, unë e kam kontrolluar me detaje, me blic telefoni, në fytyrë nuk ka shenja dhune, në trup nuk jap dot, sepse është i carë komplet nga autopsia.
Tjetër, te komisariati ne jemi të bindur, se dimë diçka, komisariati është i lartë dhe nuk arrin dot të varesh… Tjetër, dritaret janë rreth 3 metra të larta dhe të ndërtuara në mënyrë të tillë që nuk ke si varesh, dhe nëse varesh rripi i kapuçit po të rrotullohet në qafë mund të mbesë 15 cm, e pamjaftueshme që të varet. Këto janë për mënyrat e vrasjes, që është mister.
Policia ka përgjegjësi sepse si ka mundësi që ai është futur brenda komisariatit me një mjet me të cilin ai mund të kryej vetëvrasje, e dyta policia duke mos ia treguar të ndjerit e ka marrë për në komisariat ndërkohë që ai kishte urdhër arresti dhe nuk i është komunikua dhe nëse ke urdhër arresti nuk e mban dot më shumë se dy orë në komisariat, por çohet në ambientet e paraburgimit…Familja nuk është njoftuar për vdekjen, e kanë marrë vesh nga media. Pse nuk na lanë ta shohim para ekspertizës? Familjarët shkuan ta shihni para autopsisë, por policia i ndaloi. Me ç’ligj? Tjetër, ne nuk na është dhënë asnjë informacion, e kemi marrë të gjithin vetëm nga mediat”, deklaron ai. /BalkanWeb