Që pas dorëheqjes së tij nga posti i kryetarit të partisë, Lulzim Basha i ka pasur daljet publike edhe më të rralla. Megjithatë, ai nuk mungon në seancat plenare të së enjtes. E tillë ka qenë edhe këtë herë, ku ish-kryedemokrati u shfaq i vetëm, në një ditë me shi.
Ndryshe nga sa ishim mësuar ta shihnim, të shoqëruar me deputetët e Partisë Demokratike, tashmë Basha shfaqet krejt i vetëm. Pasi mbërrin në oborrin e Parlamentit, ai ndeshet te shkallët me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi.
Por duket se ky nuk është rasti që dy deputetët takohen si miq të mirë dhe bisedojnë. Lulzim Basha nuk e ka përshëndetur ministrin, ndonëse ky i fundit ka tentuar që t’i flasë, duke qenë se i ndanin vetëm pak centimetra nga njëri-tjetrit. Mesa duket, pas shumë akuzave të bëra për Policinë dhe për rendin në vend, Basha i mban qëndrim një prej ministrave më të rëndësishëm të kabinetit Rama.