Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi i Kategorisë Superiore, te Partizani vazhdojnë të kenë disa çështje që zhvillohen paralelisht. Më e rëndësishmja për momentin është ajo e kualifikimit në Europë, për të cilën i duhet vendi i tretë dhe një pjesë e madhe e fateve të sezonit varen në transfertën e nesërme ndaj Kukësit, që nis në 16:45 dhe luhet në stadiumin e sapondërtuar të verilindorëve.
Përveç tri pikëve, që do të ishin një favor i madh për skuadrën që i merr, në përballjen e nesërme caktohet përfundimisht edhe bilanci i ndeshjeve direkte mes Partizanit dhe Kukësit, që bëhen vendimtare nëse ekipet e mbyllin kampionatin me pikë të barabarta.
Tri ndeshjet e para kanë përfunduar me një triumf 5-0 të të kuqve, një barazim 1-1 dhe një fitore me përmbysje të verilindorëve me shifrat 2-1. E katërta do të tentohet të fitohet nga Partizani, por edhe një barazim nuk do të ishte si pa gjë për të kuqtë.
Kjo, për faktin se kanë golavarazh më të mirë se skuadra e Longos në ndeshje direkte dhe ndryshe me Vllazninë, në rast se Kukësi dhe Partizani e mbyllin me numër të njëjtë pikësh, vendin e tretë, ku aktualisht zhvillohet lufta, e marrin “demat”.
“TË NDARË” PËR STOLIN – Trajneri është dilema e madhe te Partizani. Ndërkohë që Mehmeti punon për të kualifikuar ekipin në Kupat e Europës, vazhdojnë thashethemet për pasimin e tij, teksa duket se Tomas Brdariç për momentin është emri më pranë të kuqve.
Nga ana tjetër, Diego Longo është kandidati i dytë në listë, por me italianin situata është ndryshe, pasi ai është nën drejtimin e Kukësit dhe fillimisht duhet të ndahet me verilindorët. Me Brdariçin ka pasur kontakte dhe bisedimet kanë avancuar në ditët e fundit.
Nga ana tjetër, pista për qëndrimin e Mehmetit vazhdon të jetë e hapur dhe përforcimin e dha vetë presidenti i klubit, Gazment Demi, që në një ndërhyrje në “SuperSport” u shpreh: “Mehmeti është trajneri im”.
Këto fjalë të presidentit dhe zërat e negociatave të drejtorit Olsi Rama me trajnerë të tjerë krijojnë idenë e një ndarjeje të mendimeve mes presidentit dhe drejtorit. Nëse Demi “konfirmoi” Mehmetin pas Dinamos, Rama duket se për momentin mendon ndryshe.
DENISA LALA – Arena e Lajmit