Zhoze Murinjo është shfaqur aspak i lumtur pas ndeshjes që Roma barazoi me Bolonjën pa gola. Skuadra e tij humbi përfundimisht shansin për të shkuar në Ligën e Kampioneve e tashmë duhet të luftojë me Lacion me pikë të barabarta për vendin e 5-të në renditjen e Serisë A. Pikërisht Lacio ka qenë objektivi i sulmeve të tij pas përfundimit të sfidës së sotme.
“Historia është e njëjta, unë stërvit prej 22 vitesh dhe nuk ndryshoj. Ka shumë ndryshime në futboll, por ju nuk ndryshoni kurrë. Pas ndeshjes ka një rezultat dhe pyetjet varen nga rezultati. Gjëja tjetër që nuk ndryshon është se 22 vite më parë mund të fitoje me gol në pozicion jashtë loje dhe pas 22 vitesh mund të fitosh përsëri me gol në pozicion jashtë loje sepse dje ndodhi kjo gjë. Të fitosh me gol në pozicion jashtë loje nuk ka ndryshuar dhe për mua kjo gjë ka sadopak kuptim”, tha Murinjo teksa po pyetej për ndryshimin që kishte bërë duke aktivizuar Zaniolon si qendërsulmues.
Më pas, atij iu kujtua edhe deklarata e famshme në periudhën e parë në Itali kur drejtonte Interin mbi prostitucionin intelektual të mediave. “Të thuash sot që ekziston prostitucioni intelektual për shtypin italian është e gabuar. Jeni përmirësuar. Përtej ndonjë fenomeni, ka një media serioze, kritike. Nuk e shoh këtë prostitucion intelektual. Por nëse ju dëshironi të fshihni se dje një skuadër ka fituar me një gol në pozicion jashtë loje në vitin 2022, atëherë duhet ta ribëni edhe një herë këtë pyetje”, tha tekniku portugez.
Arena e Lajmit