Edicioni i 83-të i Kategor isë Superiore është drejt uljes së siparit, ku verdikti i titullit dhe i rënies nga kategoria “de facto” janë përcaktuar, ndërsa “de jure” presin llogaritjet e fundit matematikore, që vetëm një mrekulli madhore mund t’i ndryshojë.
Tirana me dy humbjet e fundit vetëm sa e ka shtyrë festën e titullit, që me sa duket, bardheblutë po e zvarrisin pasi duan të marrin hak ndaj rivalit historik, Partizani, që të shpallen kampionë në derbi.
Ndërsa Skënderbeu dhe Dinamo janë të rënë, ndonëse matematika i mban ende në Superiore. Rënia e njëkohshme e këtyre dy klubeve është me peshë për elitën e futbollit shqiptar, ku si me buton Kategoria Superiore humbet 45 trofe. Dinamo ka 18 tituj kampion, 13 trofe të Kupës së Shqipërisë dhe dy Superkupa. Ndërsa Skënderbeu në palmaresin e tij ka 8 tituj kampionë, 1 Kupë të Shqipërisë, si dhe 3 Superkupa.
Dinamovitët rezultuan kalimtarë në Superiore, pasi direkt pas një sezoni po rikthehen sërish në të Parën. Korçarët për herë të fundit në Kategorinë e Parë kanë milituar në sezonin 2008-2009.
Vendin e këtyre dy ekipeve që i plotësonin edhe kushtet specifike të licencimit në Superiore, do ta zënë Bylisi dhe Erzeni. Ballshiotët rikthehen në elitë pas një viti stazhi në Kategorinë e Parë, ndërsa shijakasit ngjiten në Superiore pas 19 vitesh.
Për momentin Kategoria Superiore për sezonin e ardhshëm nuk mund të quhet e kompletuar në përbërje, ndonëse janë marrë të mirëqena largimi i Skënderbeut dhe Dinamos, që vetëm mrekullia mund t’i mbajë ende në elitë, gjë që askush nuk e beson. Vendi i tetë, që të çon në zonë “play off”, mbetet ende i papërcaktuar.
Skuadra që do ta mbyllë sezonin në këtë pozicion i duhet të luajë një ndeshje shtesë me një kundërshtar që do të dalë nga përballjet e katër skuadrave të Kategorisë së Parë, që renditen nga vendi i tretë tek i gjashti.
Për momentin këtë konfirmim e pret Egnatia, që mban vendin e tetë, por matematikisht ekziston mundësia për të shpëtuar edhe direkt, duke rrezikuar Teutën.
Arena e Lajmit