Analisti Artur Zheji thotë se ish kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur një rrugë shumë të thjeshtë për të afruar deputetët e PD-së që nuk iu bashkuan Kuvendit Kombëtar. Sipas Zhejit, Berisha i ka bërë ftesë të gjithë atyre që duan të pranojnë faktin se ai tashmë është PD-ja dhe deputetët duhet të zgjedhin, ti nënshtrohen apo jo.
I ftuar në emisionin ‘Pikat mbi I’ në ‘News24 ish nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi thotë se deputetët që nuk shkuan në Kuvend duhet t’I tregojnë demokratëve që janë ndryshe nga grupi i Berishës. Sipas tij, ata nuk mund t’I mbushin mendjen elektoratit se janë pro amerikanë dhe grupi tjetër që ndjek Berishën është anti-amerikan.
Pjesë nga emisioni
Zheji: Që nga foltorja e parë kemi kuptuar faktin që Doktori ka një ekuacion të thjeshtë: PD jam unë. Doktori thotë ‘hajdeni, shtëpia është e hapur’. Ai është vetëshpallur zot shtëpie, fëmijët do kenë një vend, shtëpia do t’u japë një gjë. Kjo do të thotë që po deshe të ulësh kokën të vish, e ke një tas përpara, po nuk deshe rri jashtë, në kohë të keqe me shi. Me butësi, me ëmbëlsi, nëpërmjet ftesës Doktori po prezanton nënshtrimin.
Patozi: Është një taktikë e qartë politike, u ka lënë derën hapur. Ka pasur një ndryshim statutor për tu lënë derën hapur, është në vizionin e Berishës për ti marrë një nga një. Në ndryshimet e fundit statutore u la që deputetët të ishin ex officio anëtarë të Këshillit. Berisha e ka pritur që do të mungonin. Ky është sinjal i keq për Berishën dhe tregon që plaga e PD-së është e thellë. Ai është një nga investitorët më të mëdhenj të kësaj së bashku me Bashën. Nuk bie dakord me Zhejin që i konsideron këta 35 dhe i shumëzon me numrin e zgjedhësve. Aritmetika ka vlerë ditën e zgjedhjeve, por jo gjithmonë. Vota jepet një ditë të caktuar, por me kalimin e ngjarjeve ka dinamikë, vota ndryshon. Nuk besoj që 35 deputetët përfaqësojnë mbi 300 mijë votues potencialë të PD-së. Berisha është shumica e PD-së. E provoi edhe në votimet e 6 marsit. Por është e pamjaftueshme, përfaqëson militantët e PD-së pasi nuk e mund dot maxhorancën. Shumica sot është Foltorja, por ku të çon? Është një PD më e lodhur, ka mbi supe shumë plagë të reja që janë krijuar nga kursi i gabuar që ka ndjekur Basha me bekimin e Berishës në këto 9 vite. Fati i PD-së do të varet nga vendimi i Gjykatës sepse ky vendim do të përcaktojë çfarë do të ndodhë në PD. Nëse gjykata do vendosë në favor të Berishës nuk kanë rrugë tjetër përveçse të formojnë një formacion tjetër politik. Në rast se do të ndodhë e kundërta, që sigla ti mbetet deputetëve kjo do tia vështirësonte shumë Berishës vazhdimin e rrugëtimit politik. E vetmja gjë e mirë që mund t’I ndodhë PD-së është të ndahet sa më shpejt. PD është e ndarë gati në mënyrë mekanike, është e ndarë në njerëz që janë besnikë të verbër të Berishës dhe disa të tjerë që besojnë se me Berishën nuk ka të ardhme. Basha sot është politikani më i brishtë që ndodhet në skenën politike shqiptare sepse është mundur 10 herë dhe për herë të fundit është mundur nga pala e vet. Është njeriu që mund ti faturosh të gjitha dështimet e demokratëve dhe do bënte mirë që të shfaqej sa më pak.
Zheji: Doktorit i duhet një pol force që ta kryesojë ai. Prandaj thashë që në fillim që PD po rithemelohet, por po rithemelohet siç do doktori. Që të shkosh në PD duhet të bëhesh një ushtar i rregullt, i disiplinuar i doktorit që është vetëshpallur që në fillim. Nëse do kemi një vendim të Apelit që rrëzon shkallën e Parë, do ishte një rrëmujë e madhe. Do më vinte keq për Doktorin që u rehatua me zyrë, por do jetë një lodhje, një raskapitje e pafund. Grupi i deputetëve duhet të prodhojë një kokë.
: Kërkohet që kundërshtarët e Berishës të gjejnë kryetarin, por nuk është ky problemi. Ata duhet të gjëjnë modelin e kundërt, të gjejnë projektin. Ti tregojnë demokratëve ku dallojnë ata nga Berisha. Ky është një trim mbi trima që nuk gabon kurrë? Ku ndryshojnë ata me Foltoren? Po nuk e bënë këtë, Berisha do ti mundë gjithmonë. Unë mendoj se kjo mungon aty dhe kjo duhet të ndryshojë. Të thuash që ata që shkojnë pas Berishës janë amerikanë dhe ne jemi pro amerikanë është shumë vulgare.