Shqipëria do të kontribuojë për Ukrainën duke marrë pjesë në Konferencën e Donatorëve që organizohet në Varshavë, por ende nuk i mbyll portet për anijet ruse.
Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, Kryeministrja e Suedisë, Magdalena Andersson në partneritet me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen kanë thirrur në Varshavë të enjten, (05.05), Konferencën e Donatorëve për Ukrainën.
Në këtë konferencë merr pjesë edhe Shqipëria. Kjo konferencë me pjesëmarrje të nivelit të lartë të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, i dedikohet “qëllimit të përbashkët për të mbështetur reagimin humanitar të OKB-së në Ukrainë dhe për të diskutuar hapat e mëtejshme drejt mbështetjes së përpjekjeve të Ukrainës për të trajtuar sfidat ekonomike të krijuara nga lufta,” bëhet me dije në një njoftim për shtyp nga kryeministria në Tiranë.
Shqipëria do të rradhitet përkrah vendeve kontribuuese, një angazhim që do ta shprehë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që merr pjesë në këtë konferencë.
Pjesëmarrësit diskutojnë për masat konkrete në përgjigje të fatkeqësisë humanitare të shkaktuar nga lufta, ku sipas vlerësimit të OKB-së, miliona njerëz kanë nevojë për ndihmë urgjente humanitare, duke përfshirë ushqim, furnizime mjekësore dhe strehim.
Në përgjigje të rritjes së shpejtë të nevojave, OKB-ja ka ngritur strukturat e posaçme për të hyrë në zonat më të goditura në ndihmë për shpëtimin e jetëve, duke vendosur ekspertë për koordinimin, angazhimin e komunitetit, mbrojtjen dhe menaxhimin e informacionit.
Ndërkohë kërkohet më tepër angazhim nga komuniteti ndërkombëtar për t’iu përgjigjur intensitetit të këtyre nevojave.
Ndalimi i anijeve ruse në portet shqiptare – Nuk ka një vendim të BE
Lidhur me kërkesën e presidentit të Ukrainës, Zelenski, për të ndaluar hyrjen në portet e Shqipërisë të anijeve ruse dhe kufizim të turistëve rusë, drejtuar Parlametit të martën, (03.05) përmes një fjalimi online në video, Kryeministri Rama tha të mërkurën, se “nuk ka një vendim të Bashkimit Evropian për ndalimin e anijeve dhe kufizimin e turistëve rusë prandaj do të vazhdohet si vitet e shkuara.”
“Vendimet tona janë gjithmonë në linjë me ato të BE-së. Në rast se do të ketë një vendim të linjëzuar, ne do të linjëzohemi menjëherë me BE-në.
Kjo është shumë e thjeshtë, nuk është një çështje e ngatërruar”, deklaroi Rama.
DW