Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, ka konfirmuar edhe një herë se Dritan Mehmeti është trajneri i të kuqve dhe për momentin në klub nuk diskutohet asnjë lloj emri tekniku tjetër. Në një lidhje direkte për “Rubrika Sportive”, Demi ka bërë të qartë se tekniku nuk është në diskutim dhe nuk ka patur negociata me emra të tjerë.
“E para e punës Mehmeti është trajner i Partizanit, nuk ka asnjë lloj diskutimi. Nuk jemi duke diskutuar me asnjë lloj trajneri, nuk më pëlqejnë këto gjëra abuzive. Atë atmosferë të mirë e të bëhen diversione, janë të dobëta dhe në dëm të sportit.
Për mua është 100% diversion. Siç e kemi marrë Mehmetin dhe e kemi ulur në tavolinë dhe kur e morëm nuk i vumë litarin në fyt. Mehmeti deri tani ka bërë punë të mirë. Sigurisht, çdo njeri mund të kritikohet, edhe unë. Ju e dini si u ndamë me trajnerin më të mirë, Ilir Dajën, nuk pati fat. Në këtë mënyrë Mehmeti me të mirat e këqijat e tij po bën mirë. Le ta a lëmë të punojë.
Mund të kishte thashethem që Partizani mund të interesohet për drejtor sportiv, por as kjo nuk është reale. Te kjo mund të flitej, por jo për trajnerin. Ajo është punë e presidentit.
Mendoj se Mehmeti e njeh presidentin dhe drejtorin dhe e di që nuk jemi njerëz që merremi me thashetheme e intriga, i kemi gjërat të hapura. I uroj nesër të ketë fat, se do të jetë ndeshje shumë e vështirë, dy ekipe në një vend. Kukësi është skuadër e fortë, kemi edhe mungesa. Shpresojmë që Mehmetit t’i ecë nesër dhe çunat t’ia shpërblejnë me lojë.
Premio? Ç’ është ky muhabet premio për çdo ndeshje?! Ata e kanë një premio nëse e arrijnë Europën. Ata marrin rrogën, për atë paguhen. E nisëm për kampion e ishim duke rënë nga kategoria. Tani kemi gëzim se jemi në vend të tretë, lufta do të jetë deri në fund, janë edhe 5 javë”, tha Demi.
Arena e Lajmit