Sinisha Mihajloviç duket se ka fituar betejën e radhës me leuçeminë. Trajneri i Bolonjës ishte shtruar në spital përsëri pas kthimit të sëmundjes që i ishte kthyer përsëri.
Por klubi i Bolonjës ka bërë të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale se Mihajloviç ka lënë spitalin pas terapive të fundit, të cilat e mbajtën larg skuadrës prej disa javësh. “Gjatë ditës së sotme, Sinisha Mihajloviç ka dalë nga spitali “Sant’Orsola” në gjendje të mirë shëndetësore të përgjithshme. Forca Mister, jemi me ty”, shkruante klubi i Bolonjës në postimin e fundit në rrjetet sociale.
Kështu, Mihajloviç ka kaluar fazën kritike, por mendohet se do të vazhdojë të jetë përsëri nën kontrollin e mjekëve në vijim, duke vazhduar terapitë, ndonëse tashmë në kushtet e shtëpisë. Edhe në spital ai nuk i ishte ndarë punës me skuadrën, duke monitoruar nga larg të gjithë stërvitjet e duke dhënë udhëzimet për skuadrën e Bolonjës e cila në këtë kampionat u tregua vendimtare në garën për titull, siç e tregoi pak ditë më parë kur i mori fitore Interit.
Arena e Lajmit