Kampionati kombëtar i basketbollit për moshat U-18 te djemtë ka shpallur fituesin e edicionit 2021-2022, trofe që ka shkuar për Dinamon.
Pasi kishin triumfuar në takimin e parë ndaj Invaders me rezultatin 91-65, blutë e vegjël të sportit të koshit i kanë mbyllur llogaritë në finalen e dytë, duke triumfuar bindshëm në shifrat 89- 58 për ta përfunduar 2-0 serinë.
E drejtuar nga Suzana Milovanoviç, Dinamo ka bërë një sezon të shkëlqyer, të cilin e kurorëzoi me festë të dielën në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.
Ndryshe nga skuadra e parë, që nuk mundi të qëndrojë në elitën e basketbollit shqiptar, akademia e Dinamos vazhdon të regjistrojë rezultate të rëndësishme.
Edhe në radhët e moshave U-16 për djem Dinamo e ka filluar me këmbë të mbarë, duke fituar raundin e parë të finaleve ndaj skuadrës Superior Klima.
Blutë e fituan derbin e parë me rezultatin 68-63, pas një sfide shumë të bukur dhe me rivalitet.
Më 7 maj do të jetë radha për ndeshjen e dytë, me Dinamon që do të kërkojë të rrëmbejë titullin, ndërsa Superior të vendosë baraspeshën për ta dërguar serinë në takimin e tretë.
Theksojmë që faza “play off” e basketbollit të moshave është karakterizuar nga një pjesëmarrje e lartë e sportdashësve në salla, të cilët kanë krijuar një atmosferë të ndezur, duke ua shtuar edhe më shumë bukurinë sfidave.
Arena e Lajmit