Vendimi I UEFA-s për të përjashtuar Rusinë nga të gjitha kompeticionet për edicionin e ardhshëm me kombëtare dhe me klube, ka sjellë një efekt domino në aktivitetet ndërkombëtare. Përfaqësueset ruse do të humbin në tavolinë të gjitha ndeshjet e tyre në aktivitete apo do të zëvendësohen në turne në fazën finale të të cilit janë kualifikuar. Ndërsa vendet e klubeve në sistemin e shpërndarjes në kompeticionet e UEFA-s, do u kalojnë shteteve të tjera.
Për shembull, në vend të kampiones së Rusisë që kishte të garantuar pjesëmarrjen në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve, do të ketë të garantuar vendin kampionia e Skocisë, shtet i cili renditet pas Rusisë në klasifikimin e UEFA-s për kampionatet e që normalisht duhej të niste garën në play-off të turneut.
Zhvendosja është masive në të tre kompeticionet, si në Ligën e Kampioneve, ashtu edhe në Ligën e Europës apo Ligën e Konferencës. Te kjo e fundit, përfituese mund të ishte Shqipëria, por në fakt do të jetë Maqedonia e Veriut e cila përfiton nga rënia drastike e kampionatit tonë në vitet e fundit.
Me ndryshimet e zyrtarizuara nga UEFA për shkak të përjashtimit të klubeve ruse, fituesja e Kupës në Maqedoninë e Veriut do të shkojë direkt në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Një mundësi që iu dha asaj sepse në renditjen e UEFA-s me të cilën mbyll këtë edicion, është në vendin e 38-të. Edhe fituesja e Kupës së Armenisë që mban vendin e 39-të do të ketë të njëjtin fat, duke nisur pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës në turin e dytë të saj kualifikues.
Një mëkat, kur mendon se Shqipëria e cila është aktualisht e 41-ta në renditje, mbante vendin e 38 vetëm një vit më parë, por për shkak të rënies së vazhdueshme që ka në klasifikimin e UEFA-s si kampionat, tashmë sheh se si vendet që e parakalojnë përfitojnë nga një mundësi e mirë për të ecur sa më shumë në Europë. Pjesëmarrja direkt në turin e dytë do t’i jepte më shumë kohë klubeve që të përgatiteshin për këtë turne i cili nis që në javën e parë të korrikut, shans që tashmë do ta ketë fituesja e Kupës së Maqedonisë së Veriut dhe jo njëra mes Laçit dhe Vllaznisë.
Arena e Lajmit