Fitorja e fundit ndaj Egnatias me përmbysje 2-1, ia ka shtuar edhe më shumë vlerat ecurisë fantastike që krutanët po bëjnë në këtë pjesë të dytë të kampionatit nën drejtimin e Emiljano Çelës.
Kundër rrogozhinasve ishte suksesi i shtatë radhazi dhe këtë shifër fitoresh nuk e ka bërë askush këtë sezon, madje as Tirana kryesuese apo Laçi me Mirel Josën në krye.
Mbijetesa është një çështje e mbyllur tashmë, pasi edhe nga zona “play out” Kastrioti është shkëputur me 9 pikë. Megjithatë, në klub duan të ruajnë frymën e mirë dhe të shmangin euforinë e tepruar në grup.
Krutanët luajnë ndeshjen e radhës të mërkurën në transfertë ndaj Skënderbeut, që e ka prerë tashmë biletën drejt Kategorisë së Parë. Në këtë takim mungesë e sigurt për trajnerin Çela është kapiteni Sokol Neziri, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.
Ndërkohë, dje skuadra nuk ka pasur pushim, edhe pse dje ishte festa e Fiter Bajramit. Atmosfera në ekip është mjaft e mirë, ndërsa ajo që ka shqetësuar më së shumti zyrtarët e klubit krutan është deklarata e trajnerit të Egnatias, Zekirija Ramadani, i cili sipas tyre ka deformuar realitetin.
Dje skuadra ka zhvilluar një seancë të shkurtër stërvitore në ambientet e kompleksit të Kamzës, ndërsa sot Çela do t’u japë dorën e fundit përgatitjeve, duke provuar edhe formacionin që do të luajë në transfertën e Korçës.
HASANI & CO – Forma e jashtëzakonshme që po kalon mesfushori shkodran, Edon Hasani, ia ka shtuar edhe më shumë cilësinë Kastriotit në manovrën sulmuese.
Hasani, bashkë me sulmuesin Bedri Greca, por gjithashtu edhe shkodranin tjetër, Abaz Karakaçi, i cili ka luajtur më tepër në rolin e kontrollorit në mesfushë, po kalojnë një moment të artë.
Së fundmi ka rritur performancën e tij edhe nigeriani Onanuga, i cili është një i ri premtues, që luan sezonin e tij të parë në Superiore. Garanci të madhe jep edhe sulmi me dyshen Kaina-Ajazi, të cilët plotësojnë njëri-tjetrin dhe ia bëjnë më të lehtë Çelës.
– Arena e Lajmit