Lokomotiva e Realit drejt titullit të 35-të në Spanjë/ Quajeni La Liga e… Benzemasë (TABELA E PLOTË)

Reali i Madridit ka mbyllur të shtunën e kaluar llogaritë me titullin kampion në Spanjë.

BENZEMA

Falë suksesit 4-0 ndaj Espanjolit, “Los Blancos” kanë shtuar në pavijon trofeun numër 35 në La Liga. Nga kampionatet më të forta në Europë, vetëm Juventusi ka fituar më shumë kampionate se Reali (36/ 35).

Rrugëtimi drejt titullit ka qenë i gjatë dhe i mundimshëm, ku trajnerit Ançeloti i është dashur të aktivizojë plot 26 lojtarë. Por kolona vertebrale e Realit kanë qenë Kurtua (portë), Modriç (mesfushë) dhe dyshja e sulmit Benzema-Vinicius.

Por “lokomotiva” e vërtetë e skuadrës në fushë ka qenë Karim Benzema, kapiteni, golashënuesi më i mirë dhe as më shumë e as më pak se lojtari më i mirë në botë për momentin.

Aq i rëndësishëm është Benzema për këtë Real, sa fare mirë titulli i fituar nga “Los Blancos” mund të cilësohet edhe si titulli i Benzemasë, ose La Liga e Benzemasë.

Sulmuesi i ardhur në vitin 2009 nga Lioni ka pritur shumë, duke qëndruar për vite me radhë nën hijen e Kristiano Ronaldos.

Por në fund ka shpërthyer, duke “justifikuar” plotësisht thënien e Ançelotit se “Benzema është si vera, sa më shumë vjetrohet, më i mirë bëhet”.

Pa Kristianon, Benzema është përmirësuar në çdo drejtim. Francezi e ka fituar edhe më parë titullin me Murinjon në Ligën e rekordeve (100 pikë e 121 gola), e ka fituar dhe me Zinedin Zidanin, sikurse dhe Ligën e Pandemisë. Por kjo e fundit nën drejtimin e Ançelotit ka qenë vërtet titulli i tij.

Golat e tij kanë qenë të gjithë të rëndësishëm, teksa pa u mbyllur sezoni ai numëron 42 të tillë në të gjitha kompeticionet. Deri në këtë sezon, rekordi i tij ishte 32 gola në sezonin 2011-2012 nën drejtimin e Murinjos. Edhe në La Liga ai ka përmirësuar shifrat e veta. 23 ka qenë rekordi i tij më i mirë.

Me katër javë të mbetura deri në mbyllje të kampionatit spanjoll, Benzema numëron 26 gola në 31 takime të luajtura. Në çdo drejtim ky ka qenë sezoni më i mirë i Benzemasë, që kur iu bashkua Realit të Madridit në sezonin 2009-2010. Të zgjedhësh mes golave të tij në këtë sezon është e vështirë.

Por nëse i referohemi kampionatit spanjoll, pa dyshim goli i fitores 2-3 në Sevilje ka qenë më vendimtari, sepse ishte ai që vulosi në njëfarë mënyre titullin e 35-të të “Los Blancos”. Nga ana tjetër, bashkëpunimi me Viniciusin ka qenë i shkëlqyer. Nuk mbaron me kaq…

Ky kampionat ka qenë historik për francezin, që ka lënë pas në listën e golashënuesve më të mirë të Realit dy legjenda si Santijana dhe Di Stefano. Ai është i treti në listë pas Ronaldos dhe Raul Gonzalesit, por vetëm dy gola larg këtij të fundit.

Një futbollist i kritikuar jo pak në fillimet e tij në “Bernabeu” tashmë është kthyer në një idhull. Ka zgjedhur të qëndrojë i heshtur, kokulur, e duke punuar fort për t’u kthyer në një lider të padiskutueshëm në Madrid, veçanërisht pas largimit të Kristiano Ronaldos.

Nuk janë të shumtë lojtarët që e ndiejnë Madridin si ai. Dhe kjo e bën një legjendë në lartësinë e emrave më të mëdhenj të Realit.

BENZEMA

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI


Lokomotiva e Realit drejt titullit të 35-të në Spanjë/ Quajeni La Liga e… Benzemasë (TABELA E PLOTË)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook