Rafael Nadal, Novak Xhokoviç dhe Andi Murrej kanë kritikuar vendimin e marrë nga organizatorët e turneut të Uimbëlldonit për të ndaluar lojtarët rusë dhe bjellorusë për të marrë pjesë në këtë event.
Të tre tenistët ndanë të njëjtin mendim gjatë konferencave për shtyp në prag të “Madrid Open”. Siç dihet, organizatorët e Uimbëlldonit vendosën veton duke ndaluar të gjithë sportistët nga Rusia dhe Bjellorusia dhe shpjeguar se nuk dëshirojnë të promovojnë propagandën e regjimit rus në turneun e tyre.
Megjithatë, Nadal, Murrej dhe Xhokoviç, të cilët kanë fituar 10 tituj të Uimbëlldonit, janë bashkuar me “ATP” dhe “WTA” duke kundërshtuar ndalimin e tyre.
“Unë mendoj se është shumë e padrejtë për shokët e mi rusë, kolegët e mi. Nuk është faji i tyre çfarë po ndodh në këtë moment me luftën”, tha Nadal në konferencën e së dielës, teksa të njëjtën linjë me spanjollin mbajtën edhe Xhokoviç dhe Murrej. Nole e kishte kritikuar edhe më parë këtë vendim, duke e konsideruar si “çmenduri”.
Arena e Lajmit