Java e 31-të e Kategor isë Superiore nuk u është shmangur dot polemikave rreth gjykimit dhe rasteve për moviolë. Praktikisht, në dy ndeshje i bie që kanë gabuar “xhaketat e zeza”, ku në Laç Tiranës i është mohuar një penallti, por edhe Vllaznisë i mungon një 11-metrësh ndaj Skënderbeut. Nisur nga rezultatet përfundimtare, i bie që gabimi më shumë ka rënduar bardheblutë, pasi nëse do t’u ishte dhënë ai 11- metrësh dhe do të barazonin, mund ta kishin siguruar matematikisht titullin kampion në Laç, gjë e cila solli shtyrjen e festës së Tiranës.
Penalltitë e dhëna kanë qenë të sakta bashkë me dy kartonët e kuq që u akorduan në këtë javë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 31-të në Kategorinë Superiore:
VLLAZNIA – SKËNDERBEU 1-0 Gjyqtarë: K.Barjamaj, D.Agaraj (Tiranë), H.Lisaku (Durrës) VAR: F.Lata, R.Mersinasi (Durrës)
Drejtësia në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu iu besua gjyqtarit kryesor Kreshnik Barjamaj, me ndihmës Agarajn dhe Lisakun. Në VAR ishin Lata dhe Mersinasi. Në këtë takim nuk munguan rastet për moviolë, ku trupa gjykuese i ka mohuar një penallti Vllaznisë. Ja rastet për moviolë:
45’ Latifi futet brenda zonës, kërkon të driblojë edhe portierin, rrëzohet në zonë, por për gjyqtarin dhe VAR-in ka vetëm simulim dhe karton të verdhë për Latifin. Por pamjet tregojnë se gjyqtari dhe VAR-i kanë gabuar, pasi ka kontakt ndaj Latifit, kështu që kemi të bëjmë me penallti të mohuar për Vllazninë.
62’ Dumfurin e lënë nervat teksa godet nga pas Heriçin. Gjyqtari me të drejtë e ndëshkon direkt me karton të kuq.
LAÇI – TIRANA 1-0 Gjyqtarë: K.Shahini, M.Shazivari, Xh.Mani (Tiranë)/ VAR: I.Myrtja (Shkodër), E.Doda (Tiranë)
Ndeshja Laçi-Tirana ka qenë një ndeshje relativisht e gjykuar mirë nga K. Shahini, M. Shazivari, Xh. Mani dhe arbitrat e VAR-it, I. Myrtja dhe E. Doda. Gjithsesi, vetëm një gabim ka bërë klasa e gjykimit. Për Tiranën mungon një penallti që mund të ishte shansi “i artë” i 1-1. Në atë rast, si gjyqtari edhe VAR-i janë në gjumë. Njëri vendos për lojë, ndërsa VAR-i as nuk e kontrollon fare rastin.
61’ Tirana kërkon penallti për një pengim në zonë të Ismajlgecit nga Roganoviçi. Futbollisti i Tiranës është shumë pranë Seferit, por në momentin e pasit, shtyhet nga lojtari i Laçit. Gjyqtari vazhdon lojën. Nuk ndërhyn as VARi. Pamjet tregojnë se është penallti, sepse shtyrja është para se topi të shkojë te portieri.
PARTIZANI – DINAMO 3-1 Gjyqtarë: K.Cjapi (Fier), R.Avdo, D.Myftari (Tiranë) / VAR: O.Yzeiraj (Patos), O.Grabova (Fier)
Kreshnik Cjapi dha një penallti dhe një karton të kuq në pjesën e parë, duke e bërë mjaft intensive ndeshjen.
30’ Rexhinaldo shërbehet në zonë dhe me kokë e godet topin, që më pas ndalet te Matondo. Dinamovitët protestojnë për penallti për prekje të topit me dorë nga mesfushori kongolez. Gjyqtari Cjapi merr kohë për t’u këshilluar me VAR-in dhe më pas zgjedh ta shikojë vetë në monitor. Pas 3 minutash akordon të verdhin e dytë për Matondon dhe e përjashton, teksa akordon penallti për Dinamon. Nga pamjet e servirura, nuk dallohet shumë qartë prekja e topit me dorë nga Matondo, por kryesori Cjapi dhe VAR-i akorduan penallti. Kështu që mbetet të thuhet se gjyqtarët kanë vepruar drejt me vendimin e tyre. Kishte pretendime se sfera kishte prekur fillimisht gjoksin e më pas dorën, por fakti që topi nuk e ndryshon trajektoren dhe dora është e hapur, krijon precedentin e penalltisë. Kartoni i verdhë është gjithashtu i drejtë në këtë rast.
42’ Samake pengon Skukën, që kërkon penallti. Gjyqtari vazhdoi lojën, pamjet tregojnë se ka faull, por jashtë zonës. Duke parë që loja kishte vijuar dhe kontakti ishte jashtë zonës, edhe VARi nuk hyri në këtë episod.
KASTRIOTI – EGNATIA 2-1 Gjyqtarë: E.Jorgji (Elbasan) E.Ganxhi (Elbasan), M.Llukmani (Vlorë) / VAR: K.Meta, M.Shazivari (Tiranë)
Ndeshja e luajtur mes Kastriotit dhe Egnatias pati edhe episodet e saj. Miqve iu akordua një penallti në pjesën e dytë, por edhe te goli i barazimit kishte sërish protesta.
60’ Insistim i rrogozhinasve në krahun e djathtë me Xheksonin, i cili pason në qendër për Pedron. Ky i fundit nuk gabon në zonë duke ndalur topin në rrjetë. Jorgji vendos të shohë pamjet me VAR për të kuptuar nëse topi ka dalë jashtë para se Xhekson të pasonte në qendër. Pas verifikimit, ai konfirmon golin.
78’ Penallti për Egnatian. Delarge merr një pasim në zonë dhe shmang ndërhyrjen e Didës, por ky i fundit e zhbilancon duke e rrëzuar në tokë dhe Jorgji nuk heziton të bëjë shenjë nga pika e bardhë, pavarësisht protestave të vendasve.
TEUTA – KUKËSI 4-1 Gjyqtarë: K.Meta, A.Zalla, R.Zajmi (Tiranë)/ VAR: J.Xhaja (Tiranë), E.Burgu (Fushë-Krujë)
Gjykimi i Kridens Metës në Teuta-Kukësi 4-1 ka qenë mjaft pozitiv. Arbitri kryesor mori vendime të drejta gjatë 90-minutëshit, duke mos pasur nevojë as për ndihmën e VAR-it. Momenti më flagrant ishte në minutën e 83-të, kur Gruda u pengua në zonë dhe Meta ishte afër aksionit, duke akorduar një penallti në favor të Teutës.
Arena e Lajmit