Sulm shterpë, Skënderbeu për rekord/ Korçarët po kalojnë momentin më të errët të 12 viteve të fundit

Skënderbeu po kalon momentin më të errët të 12 viteve të fundit për sa i përket pozicionit dhe paraqitjes sezonale. Prej kohësh korçarët ndodhen në vendin e fundit dhe tashmë rënia në një kategori më poshtë pritet që të zyrtarizohet shumë shpejt. Rezultatet po e tregojnë diçka të tillë.

Skenderbeu

Korçarët javë pas jave thyejnë çdo rekord të mundshëm për sa u përket rezultateve negative. Në momentet që flasim bardhekuqtë kanë kaluar plot katër muaj fitore. E fundit është dy faza më parë në ndeshjen e luajtur në shtëpi përballë Kastriotit në dhjetor të vitit të shkuar. Kjo tregon edhe një herë se çfarë faktorësh e çuan ekipin e rekordeve drejt rënies nga kategoria.

Skënderbeu mundi të marrë vetëm shtatë pikë në 17 takime të luajtura mes të cilave, dhjetë humbje dhe shtatë barazime. Dy faza të çuara dëm për korçarët, që nuk kanë fituar një takim të vetëm dhe mbi të gjitha kanë humbur përballjet direkte me të gjithë kundërshtarët, që duhet të luftonin për mbijetesën. Nuk dihet se kur më parë Skënderbeu ka mbetur kaq gjatë pa marrë një trepikësh, por ky sezon mund të quhet me plot gojën, rekordi negativ për korçarët në elitën e futbollit tonë.

SULMI NËN AKUZË – Një repart i tërë është nën akuzë për një gjendje të tillë dhe pritet që këtu të jetë edhe ndryshimi i parë i Skënderbeut për sezonin e ri. Korçarët nuk arrijnë të gjejnë dot rrugën e rrjetës që prej barazimit të shënuar në shtëpi përballë Kukësit, ndeshje e mbyllur me shifrat 1-1.

Pas këtij takimi janë plot pesë ndeshje shterpësie për bardhekuqtë. Sulmuesit janë në bankën e të akuzuarve, pasi edhe në ndeshjen ndaj Kukësit kanë “agjëruar” pasi goli i vetëm për korçarët është shënuar nga Zguro. Për të gjetur golin e fundit të një sulmuesi, duhet të shkojmë më larg në kohë. Pikërisht një fazë më prapa, në ndeshjen e barazuar ndaj Vllaznisë në shtëpi me rezultatin 2-2. Në shkurt të këtij viti, shënonte Nikaj dhe ky është goli i fundit i sulmuesve për Skënderbeun.

– Arena e Lajmit


Sulm shterpë, Skënderbeu për rekord/ Korçarët po kalojnë momentin më të errët të 12 viteve të fundit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook