Ylli uellsian, David Bruks, fitoi betejën më të rëndësishme të jetës, atë kundër limfomës së Hodgkin, grada e dytë. Ky lajm fantastik u dha nga vetë futbollisti nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare.
24-vjeçari, tetorin e kaluar, pasi u largua nga grumbullimi me kombëtaren për shkak të një problemi shëndetësor, kishte bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se ishte diagnostikuar me këtë formë të rrallë kanceri, që sulmoi sistemin limfatik.
Kjo lloj sëmundje prek kryesisht të rinjtë në fillim të të 20-tave ose te të rriturit shumë më të vjetër mbi moshën 70 vjeç. Shumë muaj pas atij njoftimi, që trazoi të gjithë botën e futbollit, ka ardhur edhe lajmi i mirë për shërimin e plotë të futbollistit uellsian, i cili tashmë mezi pret të vazhdojë karrierën futbollistike.
DEKLARATA ZYRTARE E MESFUSHORIT BRUKS:
“Kanë kaluar disa muaj nga përditësimi im i fundit dhe brenda kësaj kohe, për fat të mirë, kam përfunduar trajtimin e kancerit. Do të doja të falënderoja të gjithë stafin e jashtëzakonshëm mjekësor për punën e jashtëzakonshme që ka bërë dhe për mbështetjen që më ka dhënë gjatë gjithë këtij procesi.
Javën e kaluar u takova me specialistin tim, i cili shqyrtoi rezultatet përfundimtare të testit tim. Jam i lumtur të njoftoj se trajtimi ka qenë i suksesshëm dhe se më është dhënë drita jeshile: kanceri është mposhtur.
Janë fjalë të pabesueshme për t’u thënë dhe u jam mirënjohës të gjithëve për mesazhet dhe urimet e marra, me të vërtetë më kanë ndihmuar shumë në momente të vështira.
Jam i emocionuar dhe mezi pres të filloj udhëtimin që do të më çojë në rikuperimin e plotë fizik dhe do të më lejojë të vazhdoj karrierën time futbollistike.
Djemtë e Burnemuth kanë pasur një sezon të mrekullueshëm dhe mezi pres të rikthehem në “The Vitality” për të brohoritur për skuadrën ndërsa i afrohemi ndeshjeve më të mëdha të sezonit.
Jam i vendosur të bëj më të mirën në muajt në vijim dhe mezi pres të kthehem për të luajtur para jush në një të ardhme jo aq të largët”.
Arena e Lajmit