Karlo Ançeloti V, në kërkim të dopietës e historisë/ Italiani nuk i vë limite vetes

Karlo Ançeloti ka arkivuar në muzeun e tij të sukseseve edhe të vetmin kampionat të rëndësishëm në Europë që i mungonte, Ligën spanjolle. Falë suksesit me Realin, ai është bërë i pari dhe i vetmi trajner në botë që ka fituar të pesë kampionatet më të forta në Europë, Itali, Angli, Spanjë, Gjermani dhe Francë. Me Milanin në Itali, Çelsin në Angli, Bajernin në Gjermani, PSG-në në Francë dhe Realin në Spanjë ai ka thyer çdo rekord të mundshëm.

Anceloti puro

Edhe nëse do t’i hapësh të gjitha arkivat e botës nuk do të gjendet një tjetër trajner me një “curriculum vitae” si ai i Karlos. Titujve në kampionatet më të rëndësishme në Europë u duhen shtuar dhe tri Liga Kampionesh. Titulli në Spanjë dukej më pak i mundshmi, parë situatën e krijuar në Madrid pas largimit të Zinedin Zidanit. Nëse do të përdorim gjuhën kompjuterike, Reali dukej se duhej të bënte një “reboot”.

Për më shumë, Ançeloti nuk ishte zgjedhja e parë. I pari ishte Alegri, por refuzimi i tij i dha shansin e jetës Ançelotit, i cili la Evertonin për “mbretërit e Europës”. E ashtu hap pas hapi, ai arriti t’i merrte më të mirën skuadrës. Me një nivel të mirë futbolli, me një mbrojtje solide dhe një qëndrueshmëri fizike të shkëlqyer, Reali mundi të fitonte kampionatin spanjoll katër javë para fundit me një diferencë prej 15 pikësh nga vendi i dytë, si kurrë më parë në La Liga. Për më tepër, Karlo Ançeloti është trajneri më i mirë në historinë e Realit të Madridit për sa i përket raportit fitore për ndeshje të luajtura. Ai i ka lënë pas të gjithë.

PËR DOPIETËN – Por tekniku i “Los Blancos” nuk ka ndër mend t’i vendosë kufij vetes. Për më shumë që tani është fare pranë një “happy end”-i. Pasi ka siguruar kampionatin spanjoll, Ançeloti dhe Reali i tij janë vetëm dy ndeshje larg dopietës Liga-Champions. Nesër në mbrëmje Reali do të kërkojë një vend në finalen e Ligës së Kampioneve në Paris. Madridit i duhet të përmbysë 3-4 në “Etihad” përballë Mançester Sitit të Pep Guardiolës.

Anceloti

Një kockë e fortë, por duke parë çfarë Reali bëri ndaj PSGsë e Çelsit asgjë nuk është e pamundur. Një dopietë e mundshme Liga-Champions vetëm sa do të lartësonte dhe më shumë emrin e Karlo Ançelotit. Në historinë e vet Reali ka mundur vetëm tri herë të bëjë dopietë mes kampionatit spanjoll dhe Ligës së Kampioneve ose Kupës së Kampioneve në variantin e vjetër.

Një gjë të tillë e realizonte në sezonet 1956-1957 dhe 1957- 1958 me Migel Munjoz në stol, teksa të tretën e realizonte në sezonin 2016-2017 me Zidanin në krye. Për t’ia arritur ka nevojën e të gjithëve, edhe të tifozëve. Përgjigjen e ka marrë në “Cibeles” gjatë festimeve të titullit kur nga turma ka ardhur oshtima: “Si se puede” (Po, mund t’ia dalim)!

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – Arena e Lajmit

 


Karlo Ançeloti V, në kërkim të dopietës e historisë/ Italiani nuk i vë limite vetes

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook