Gega “i dashuruar” me Korçën: Për vazhdimin do të flas me… Takajn

Skënderbeu është vetëm dy pikë larg zyrtarizimit për rënien në Kategorinë e Parë, por korçarët nuk kanë ndër mend të dorëzohen kaq lehtë. Të paktën kjo transmetohet nga trajneri Skënder Gega, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes me Kastriotin theksoi se ekipi do të bëjë maksimumin deri në javën e fundit. Trajneri Gega vlerësoi kundërshtarin dhe kërkoi impenjim të të tijve ndaj krutanëve. Më tej trajneri foli hapur edhe për planin e së ardhmes duke u treguar i gatshëm për vijimësinë, si dhe për të folur me presidentin Takaj. Por, mbi të gjitha për ngritjen e një projekti.

Gega

Duke parë kushtet ku është Skënderbeu, sa e vështirë është të motivosh këtë ekip?

Për pjesën më të madhe të kohës që unë jam te Skënderbeu, ekipi ka qenë i motivuar, i mobilizuar dhe ka dashur të japë më të mirën. Normal, kjo nuk është e mjaftueshme, por duhen të koordinohen shumë gjëra. Për mua, ndaj Vllaznisë ka qenë një ndeshje shumë e mirë. E kam shijuar dhe më erdhi keq që situata rrodhi ashtu për shkak të një kartoni.

Deklaratat pas ndeshjeve shpesh kanë qenë të koduara. A do të jetë Gega trajner i Skënderbeut edhe në sezonin tjetër?

Nuk kanë qenë të koduara pasi bashkëpunimi im nisi kur Skënderbeu ka qenë në një situatë delikate. Kam shprehur dëshirën dhe dashamirësinë që të jem pjesë dhe të ndihmoj. Gjërat nuk ecën në krahun tonë pasi rivalët bënë hapa shumë të sigurt, kështu që arritëm deri në këtë pikë. Unë do të ulem të bisedoj me Takajn shumë sinqerisht. Këtu erdha për Superiore, por jam ndier mirë në këtë ambient edhe me djemtë, pavarësisht se marrim kritika të vazhdueshme. Por, më besoni që po bëjmë më të mirën.

A mund të qëndrojë Gega edhe në të parën, kjo ishte pyetja?

Para se të vija te Skënderbeu po merresha me akademi fëmijësh. Për mua futbolli nuk ka rëndësi se ku je dhe çfarë pozicioni. E rëndësishme është të ketë frymë të mirë në një klub. Kampion nuk të nxjerr kush, por duhet të punosh që të dalësh. Prandaj them do të flas me Takajn, të shohim se çfarë projekti ka dhe patjetër që do të vendosim. Ambienti i Skënderbeut është i rrallë në Shqipëri, prandaj nuk kam vënë kufij.

Duket si një histori dashurie me këtë klub…

Shikoni, nuk dua të tregoj mosrespekt, por në Shqipëri është e vështirë për të punuar. Nuk ka infrastruktura, si dhe kultura sportive e bën më të vështirë. Te Skënderbeu kam gjetur më shumë se një klub, një qytet, një kulturë dhe një formim. Prandaj jam ndier shumë mirë dhe me respekt.

Përballeni me Kastriotin, si e shikoni këtë takim kur edhe dy pikë ju ndajnë nga mbijetesa?

Mendoj se është ndeshje shumë e vështirë. Kastrioti është për t’u vlerësuar sepse ka bërë dy faza shumë të mira. Është një ekip me grintë dhe i vendosur mirë. Fakti që me ekipet e sipërme të tabelës kemi bërë ndeshje të mira, kjo na bën optimistë që të japim maksimumin.

Kjo tregon se përtej situatës do ta respektoni kampionatin?

Patjetër që po, këtë ua kam thënë çunave që ditën e parë. Dua që jo vetëm ne, por kur ekipet e tjera të bëjnë analizën, përgjegjësinë të mos e kërkojnë te Skënderbeu. Kështu do të vazhdojmë dhe do të jemi më të nderuar.

Ndeshjet e fundit a do të shërbejnë edhe për të përgatitur Skënderbeun e sezonit të ri?

Janë gjëra që ndryshojnë. Pushimet e kampionatit shumë gjëra i ndryshojnë. Varet se kush pranon të jetë te Skënderbeu apo çfarë Skënderbeu ofron, pasi kjo është më e rëndësishme. Prandaj, nuk e shikoj kështu. Nuk jam i informuar në detaje se kush do të jetë në sezonin e ri. Patjetër që do të shohim edhe të rinjtë, pasi janë elementë të shumtë cilësorë, por pa prishur strukturën. Deri në fund të kampionatit do të jem shumë i qartë për gjithsecilin.

– Arena e Lajmit


Gega “i dashuruar” me Korçën: Për vazhdimin do të flas me… Takajn

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook