Kampionati kombëtar i volejbollit për femra do të zhvillojë sot në orën 19:00 finalen e tretë, teksa Skënderbeu do të presë Tiranën në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë.
Siç dihet, seria e finaleve deri më tani është në barazim 1-1, teksa korçaret kanë fituar 3-0 takimin e parë në shtëpi dhe të njëjtën gjë bënë edhe kryeqytetaset në sfidën e dytë.
Këto finale janë shënuar nga shifër rekord spektatorësh, sidomos në Korçë, aty ku mbi 2000 tifozë mbushën plot e përplot sallën.
Gjithashtu edhe përballja e zhvilluar në “Feti Borova” u ndoq nga një numër i lartë shikuesish, duke bërë që në këto sfida të ketë një rol shumë të rëndësishëm faktori fushë.
Me ekipin e futbollit që ka marrë tatëpjetën, sportdashësit korçar janë afruar me vajzat e volejbollit, teksa këtë sezon Skënderbeu ka ndërtuar një skuadër mjaft të fortë, duke investuar edhe me afrimin e pesë lojtareve të huaja.
Ndërsa nga ana tjetër Tirana gjithashtu vjen pas një sezoni të shkëlqyer, ku përveç elementëve vendës, ka në përbërje edhe dy lojtare amerikane, si dhe një nga Trinidad Tabago.
Kështu, ekipet do të zbresin sot në parket për aktin e tretë final, në kërkim të fitores që do t’i afronte edhe më shumë me titullin kampion, trofe që në Korçë mungon që prej vitit 1986, ndërsa vajzat bardheblu nuk e ngrenë lart që nga viti 2013.
Arena e Lajmit