SPAK çon për gjykim “të fortin e Myslym Shyrit” dhe 11 të tjerë. Si u zbërthye grupi kriminal nga bashkëpunëtori i drejtësisë pas atentatit në Kamëz

Gjergj Cukali

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pas përfundimit të hetimeve, ka dërguar për gjykim të “fortin e Myslym Shyrit”, Gjergj Cukali, dy vëllezërit Enver dhe Ermond Jamaku, Sokol Xhurën si dhe 7 të pandehur të tjerë.

Cukali akuzohet se është porositës i atentatit me minë në automjet të Gjon Menës, por që dështoi. Ai dyshohet se organizoi gjithë skemën, ndërkohë që u zbulua nga një kushëri i cili do të ishte autor.

Po kush ishte personi që i tradhtoi Cukalin dhe co, duke bërë që policia t’i kapte me arsenal armësh një vit më parë?
Banda kriminale, që kishte ngritur 18 baza armatimi me snajpera, anti-tanke, kallashnikovë dhe armë të tjera luftarake, u fundos nga njëri anëtar.

Bëhet fjalë për Enver Jamakun, i cili u arrestua më herët si pjesë e kësaj bande. Jamaku u arrestua për sulmin me eksploziv ndaj biznesmenit Gjon Mena, në Kamëz, ngjarje për të cilën u arrestua si porositës edhe Gjergj Cukali.

Pas arrestimit, Jamaku ka vendosur të bashkëpunojë me hetuesit, duke zbuluar gjithë anëtarët e bandës kriminale, që vepronte në Tiranë. Ndërkohë, Enver Jamaku, së bashku me dy anëtarë tjerë të bandës, Sokol Gjurën dhe Edmond Jamakun, janë autorë të sulmit me armë ndaj avokatit Paulin Papleka, më 10 shtator të vitit 2017.

Pesë ditë pas sulmit ndaj avokatit, më 15 shtator 2017, tre autorët i kanë hyrë në banesë shtetasit Edmond Saraçi, ku kanë vendosur armën e zjarrit, një garantë dhe pak heroinë, dhe kanë sinjalizuar policinë në rrugë anonime. Kështu, policia arrestoi në atë kohë si autor të sulmit ndaj avokatit shtetasin Edmond Saraçi.

Ndërkohë, SPAK thotë se për mungesë provash, është kërkuar pushimi i hetimeve ndaj personave nën hetim Festim Mustafa dhe Klodian Kulla.

DËSHMIA
Enver Jamaku ka deklaruar se me Cukalin është njohur 5 vjet më parë kur i bleu një automjet. “Kur bleva mjetin dhe e telefonova, ai më tha se ishte Gjergj Cukali dhe unë e njihja përmes mediave sepse kishte probleme me drejtësinë. Më pas jemi takuar herë pas herë përfshirë dhe në varrimin e një personazhi të njohur të botës së krimit. Sa i përket atentatit ndaj Gjon Menës, ku mbeti i plagosur, një ditë dikush më thirri ‘Velo’ dhe ktheva kokën. Nuk e kuptova pse më thirri kështu, por pashë se po më thërriste Gjergj Cukali. Ai tha se kishte një punë për mua, por fillimisht nuk doja të përfshihesha në aktivitetin e tij kriminal. Më tha se do të më paguante 30 mijë euro nëse do të vija minën me celular në automjetin e një personi, më shpjegoi arsyet dhe vendin ku unë duhet ta vendosja minën. Fillimisht nuk pranova, por më pas duke qenë se jam pa punë dhe pa shtëpi, vendosa ta kryej këtë punë me qëllim që të blej një banesë për veten dhe familje”, thotë Enver Jamaku në dëshminë e tij.

Bëhet fjalë për dhjetorin e 2020 thotë Jamaku, i cili më pas shpjegon se ka pasur disa herë kontakte me Gjergj Cukalin.

Ai thotë se Cukali e mori në automjetin e tij dhe shkuan pranë banesës së shënjestrës së atentatit. “Pashë që ishte një djalë rreth 35-40 vjeç. Ishte rreth 185 cm i gjatë dhe kishte flokë të rëna dhe kishte karakteristike mjekrën e dalë. Për këtë arsye vendosa të kërkoja ndihmën e kushëririt tim, Ermondit për ta finalizuar me sukses punën”.

Ai thotë se Cukali erdhi me persona të tjerë ta takonte, të cilët nuk i identifikon dot, i dha minën me telekomandë, para rreth 500 euro dhe celularë për të bërë shpërthimin e minës. Ai tregon dhe mënyrën se si ka vepruar për të vendosur minën me celular.

Enver Jamaku pretendon që në dhjetor 2020, Gjergj Cukali i ka kërkuar dhe e ka porositur që për një shumë 30 mijë euro ai duhet të vinte në automjetin e Gjon Menës minën me telekomandë. Ai ka pranuar dhe ka kërkuar ndihmën e kushëririt të tij Ermondit. “Nëpërmjet rrjeteve sociale gjeta një automjet dhe e bleva për 800 mijë lekë të vjetra, në zonën e Kasharit dhe më pas kam lidhur një kontratë tek noteri në zonën e Astir-it. Këtë automjet do e përdorja për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit dhe më pas do e shisja. Do e mbaja deri sa të kryeja atentatin dhe më pas do e dërgoja në zonën e Brarit”, dëshmon më tej Enver Jamaku. Ai ka lëvizur në gjithë Tiranën. “Fillimisht nuk arritëm ta vinim minën me celular, disa herë i kërkova Ermondit të shkonte atje. Ai shkoi rreth 7-8 herë gjatë ditës, por nuk arriti ta vinte sepse kishte lëvizje dhe mund të pikasej nga kamerat e sigurisë. Në një moment Gjergj Cukali më telefoni dhe më kërcënoi. Më tha që nëse nuk e vendos brenda natës së sotme do t’i kesh punët keq. Për këtë arsye duke qenë se janë në fuqi dhe rregullat e karantinës, vendosëm të kalonim në periferi të Tiranës, në rrugë dytësore, të pashtruara që të mbërrinim tek banesa e Menës. Kur mbërritëm atje, kemi qëndruar nga ora 12 e natës deri në orën 5 të mëngjesit. Ermondi shkoi dhe e vuri minën me celular dhe në momentin që do lëvizte shënjestra duhet ta shpërthenim, që Mena të ndërronte jetë”, ka deklaruar më tej Enver Jamaku

Nga të dhënat ka rezultuar se mina nuk është vendosur poshtë automjetit por në një kuti plastike pranë gomës së parë nga ana e shoferit dhe për këtë arsye nuk ka gjetur vdekjen Gjon Mena.

“Në momentin që ai doli dhe makina po lëvizte, unë i kam rënë ziles së celularit që më kishte dorëzuar Gjergj Cukali dhe pamë që po dilte tym dhe u ndje shpërthimi. Më pas jemi larguar dhe kemi shkuar në periferi të Tiranës ku do të linim automjetin”, ka thënë ai.

SI U ZBULUA GRUPI KRIMINAL
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se vetëm një kamera sigurie ka qenë prova më e fortë për ta çuar grupin e hetimit drejt autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. “Në fshatin Ferraj, një kamerë sigurie ka fiksuar një automjet ‘Ford Fiesta’ që Jamaku do e përdorte për të vëzhguar lëvizjet e shënjestrës së atentatit. Nga ky automjet është gjetur pronari i automjetit, i cili ka thënë se e kishte lënë në një servis për ta shitur dhe më pas pronari i servisit e kishte kontaktuar për ta shitur.

Në momentin që ka ndodhur shpërthimi, Jamaku thotë se Cukali e ka kërcënuar se nuk e ka çuar deri në fund punën dhe nuk i ka dhënë 30 mijë euro po 3 mijë. Jamaku thotë se ia ka dhënë paratë kushëririt të tij Ermond Jamakut, të cilit i kishte premtuar 5 mijë euro. Nga ky automjet Enver Jamaku ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të japë emrin e porositësit.

Cukali nuk konsiderohet si personi që ka interes të drejtpërdrejt për vrasjen e Gjon Menës sepse nuk rezulton të ketë njohje të mëparshme apo shkak që ta vriste. Por prokuroria dhe policia ka dyshime se Cukali është paguar persona të tjerë për të eliminuar Gjon Menën dhe më pas ka kontaktuar kushërinjtë Jamaku për të realizuar atentatin që dështoi”, tha Lala.

Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në përfundim të hetimit të procedimit penal nr.52 të regjistruar në datën 10.02.2021, ka dërguar per gjykim kërkesën, kundër të pandehurve:

Ndërkohë për mungesë provash është kërkuar pushimi i hetimeve ndaj personave nën hetim Festim Mustafa dhe Klodian Kulla.

SPAK çon për gjykim “të fortin e Myslym Shyrit” dhe 11 të tjerë. Si u zbërthye grupi kriminal nga bashkëpunëtori i drejtësisë pas atentatit në Kamëz

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook