Kur sheh finalistët e parë të Ligës së Kampioneve teksa festojnë mes tyre, me Jyrgen Klopin si dirigjent të “bandës” përpara tifozërisë së kuqe, të vjen natyrshëm të mallëngjehesh për pasionin që ka dhe shpërndan ky grup.
Gjithsesi, kjo eufori nuk bëhet vetëm për pasion, privilegj se do të kenë mundësinë që të luajnë për trofeun më prestigjioz për klube, por pa dyshim edhe për para. Ndonëse janë ndër më të paguarit në qarkullim, te Liverpuli e dinë mirë se në 90 minutat finale në Paris janë në lojë edhe një thes me para, disa prej të cilave do të shkojnë edhe në xhepat e Klopit dhe lojtarëve të tij, si premio nga drejtuesit e klubit, në rast të fitimit të trofeut.
E thënë ndryshe, më 28 maj, Liverpuli luan për shifrën e çmendur të 128.39 milionë eurove. Më në specifikë: 15.64 milionë euro për pjesëmarrjen në grupe dhe 15.8 nga “market pool”-i; 18 milionë euro nga rezultatet e vendosura në grupe dhe 22.75 të tjera si rrjedhojë e renditjes historike të Champions-it.
Ndërkohë, kalimi i shkallëve deri në finale ka ofruar 9.6 milionë për 1/8-at; 10.6 për çerekfinalet; 12.5 për arritjen në gjysmëfinale dhe 15.5 të garantuara për kapjen e finales.
Ndërkohë, në rast se ngrenë trofeun, të kuqtë do të arkëtojnë edhe 4.5 milionë euro të tjera, plus 3.5 milionë si skuadra që do të luajë edhe për Superkupën e Europës, kundër fitueses së Ligës së Europës.
Arena e Lajmit