“Te Milani ishte moment mërzie”, Bonuçi befason me deklaratën: Titullin e fiton… Interi

Dopietë për ditëlindje, por edhe plane afatgjata me ngjyra bardhezi. Leonardo Bonuçit kontrata ia lejon vazhdimësinë te Juventusi dhe këtë herë synon të fitojë me shiritin në krah.

bonuci

“Merreshim vesh me shikime, unë duhet të merrja topin dhe t’ia pasoja atij, më vonë dinte Leo ç’të bënte”, u shpreh Andrea Barzalji, ishpartneri i betejave te “Zonja”, i pranishëm në intervistën që Bonuçi lëshoi për rrjetin “DAZN” ku zbuloi shumëçka.

E festuat bukur ditëlindjen në fushë?

E dija që do të jepja këtë intervistë dhe m’u desh të bëja diçka të veçantë. Besoj se ia arrita qëllimit…

Paska rënduar më tepër intervista sesa ditëlindja.

Me siguri! (qesh)

Po në shpirt ju rëndon më tepër eliminimi nga Champions-i apo fakti që nuk konkurruat dot për kampionatin?

Ka keqardhje sepse lamë pikë rrugës, që nëse i kthehesh mund të luheshin ndryshe dhe t’i merrnim ato dy-tri pikë që duheshin për të qëndruar në majë e për të luftuar deri në javën e fundit. Megjithatë, këto janë gabime që mund të hasen në këtë moment ndryshimi te Juventusi. Duhet të jenë gjithmonë mësime si të gjitha gabimet, ndaj duhet të shohim përpara. Tani kemi siguruar kualifikimin në Champions, shpresojmë të bëjmë më shumë vitin e ardhshëm në Itali dhe në Europë. Juve-Vijareal apo

Juve-Inter, cila ju bën të vuani më tepër?

Të dyja, shumë, sidomos kur nuk i luan dot dhe siç kam shkruar në një nga postimet e mia, i kuptoj reagimet e tifozëve kur ndodhin këto gjëra. Ta jetosh nga jashtë ka qenë vërtet e vështirë, sidomos sepse nuk mund të ndihmosh shokët e skuadrës. Kur je pjesë e një grupi do të doje të ishte gjithmonë prezent në fushë.

Fatkeqësisht këtë vit kam humbur ndeshjet vendimtare të sezonit me kombëtaren dhe Juventusin, çka është një keqardhje e madhe dhe një zhgënjim për mua, por tani jam mirë dhe dua ta mbyll sezonin në mënyrë sa më të mirë.

Na thoni dot një defekt dhe një cilësi tuajën?

Për mua Juventusi është mbi gjithçka. Kur u largova për të shkuar te Milani bëra një zgjedhje të diktuar nga momente zhgënjimi e mërzie. Isha i frustruar, por për fat gjithçka kaloi. Siç e thashë, nga gabimet mund të mësosh dhe të përmirësohesh. Sot jam i lumtur që jam shndërruar në shembull për shokët më të rinj. Uroj të jem edhe në vazhdim, të paktën deri në 2024-ën kur më skadon edhe kontrata.

Mund të na përshkruani Vlahoviçin nga afër?

Mendoj se duhet të kuptojë se duhet të mësojë të kontrollojë nervat kur e ka topin në këmbë. Tani atij i kërkohet shumë që të mbajë topin për të na bërë të dalim para si ekip, por duhet të kuptojë se çfarë duhet të bëjë kur e ka topin në këmbë. Por është normale që ndonjëherë mund ta teprojë sepse është i ri. Nuk e ka ecurinë që kishte te Fiorentina, por ne Dushanin nuk e ndërrojmë me askënd, sepse që kur ka ardhur na ka dhënë shumë entuziazëm, gola, na ka shtuar peshën në sulm dhe u ka hequr presionin të tjerëve që kanë përfituar.

Më mirë të luash bukur apo të korrësh rezultate?

Sinqerisht, mendoj se të gjithë do të dëshironin të luanin ndeshje me 70-80% të zotërimit të topit dhe të argëtoheshin, por pastaj ka edhe ndeshje ku ka rëndësi rezultati. Për këtë arsye mendoj se një kombinim i duhur i të dyjave është gjëja më e mirë. Ndonjëherë mund të kesh sukses dhe ndonjëherë jo.

Sivjet ka pasur ndeshje në të cilat kemi bërë paraqitje të shkëlqyera në nivel teknik dhe konkurrues, por nuk kemi marrë asnjë pikë. Ndërkohë, ka pasur ndeshje të tjera në të cilat kemi luftuar shumë nga ky këndvështrim duke marrë pikë me peshë për renditjen. Është një rrugëtim i gjatë, si gjithmonë duhet të përmirësohemi në çdo aspekt edhe pse kemi vuajtur pak për mungesën e përvojës në ndeshje të caktuara. Sidoqoftë, besoj se themelet për të bërë diçka të rëndësishme i kemi ngritur.

Cila skuadër do ta fitojë titullin?

Duke parë ndeshjet që mbeten për t’u luajtur, do të thosha Interi, sepse në teori kanë ndeshje të përballueshme për skuadrën që ka Inzagi. Por ky kampionat na ka dhuruar që në fillim surpriza të mëdha. Është e bukur, emocionuese, të jetosh këtë garë titulli, ndaj është për të ardhur keq që nuk jemi edhe ne në garë, sepse siç thashë më parë do të duheshin vetëm disa pikë të tjera që lamë gjatë rrugës për të qenë edhe ne aty në majë.

Por po e shijojmë si futbolldashës sepse mendoj se është e drejtë të luhet çdo vit për titullin deri në ditën e fundit për t’u dhënë edhe më shumë entuziazëm atyre që na shikojnë nga shtëpia dhe atyre që vijnë në stadium për të parë ndeshjet. E duam kampionatin e bukur dhe ndeshjet e mbetura do t’i shijojmë të gjitha, si ato për mbijetesë ashtu edhe ato për titullin.

Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit


“Te Milani ishte moment mërzie”, Bonuçi befason me deklaratën: Titullin e fiton… Interi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook