Fitorja ndaj Skënder beut e ka rritur opti mizmin në radhët e shkodranëve për pjesën e mbetur të sezonit. Vllaznia kishte afro 2 muaj që nuk shijonte një fitore dhe, me sa duket, ka arritur në momentin e duhur. Për Ardit Krymin, i cili pardje mbushi 26 vjeç, situata në skuadër duket pozitive. Ai kërkon që kjo situatë të përmirësohet edhe më tepër, sidomos në kuadrin e rritjes së vetëbesimit.
Një gjë e tillë, sipas mesfushorit, mund të arrihet vetëm përmes marrjes së trepikëshit të radhës, nesër, kur luajnë ndaj Dinamos në “Elbasan Arena”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori theksoi se Vllaznia do të jetë një nga skuadrat që do të shkojë në Europë përmes kampionatit, ku kundërshtar janë Partizani dhe Kukësi, që luftojnë për vendin e tretë.
Ardit, si duket situata te Vllaznia pas fitores ndaj Skënderbeut?
Ishte një fitore që ka kthyer qetësinë dhe na bën që të ndihemi më optimistë për takimet e radhës në kampionat. Ishte një trepikësh që na duhej, pasi kishim kohë që na mungonte. Ekipi bëri mirë në atë përballje dhe shpresoj që një gjë të tillë ta bëjmë edhe në vijimësi.
Duket se ekipi ka vuajtur në këtë periudhë?
Kur nuk vijnë rezultatet që dëshiron, edhe lodhja ndihet më shumë, plus që ekipi vihet nën presion dhe pastaj gjithçka për ne vështirësohet. Shpresojmë se e kemi hedhur tej atë periudhë dhe tani të mendojmë për takimet e mbetura. Të enjten luani ndaj Dinamos.
Çfarë prisni nga ky takim?
Një përballje ku ne duhet të marrim një tjetër fitore. Kundërshtari do të kërkojë që të luajë gjithçka për gjithçka, pasi ka shansin e fundit në kampionat, por këtë ne duhet ta shfrytëzojmë pozitivisht. Marrja e pikëve maksimale në këtë takim është detyrim për ne, nëse do të kërkojmë Europën përmes kampionatit.
Pra, Vllazninë e kënaqin vetëm tri pikë ndaj bluve?
Normalisht që po. Nuk ka asnjë dyshim, Vllaznia do të luajë vetëm për tri pikë në këtë përballje. Janë edhe 5 ndeshje deri në fund.
A e shikoni Vllazninë në fund të sezonit në Kupat e Europës përmes kampionatit?
Mundësitë janë. Këto pesë ndeshje janë si pesë finale dhe si të tilla do t’i trajtojmë. I kemi mundësitë për të marrë më të mirën dhe kam shumë besim se ne në fund të sezonit do të jemi në katërshen e parë dhe në Kupat e Europës. Kjo do ta na bënte që të jemi më të qetë për takimin final të Kupës. Nuk do ta lëmë gjithçka te Kupa. Kam besim te kjo.
Cili rezultat do t’ju interesonte nga përballja mes Kukësit dhe Partizanit?
Për mua do të ishte pozitive nëse mes tyre të mbizotëronte paqja. Megjithatë, sido që të shkojë ky takim, ne duhet të bëjmë maksimumin tonë. Duhet që të shikojmë veten dhe atë që do të bëjmë si ekip e të mos varemi nga ecuria e rivalëve në pjesën e mbetur të sezonit.
ADMIR URUÇI-Arena e Lajmit