Prefekti i qarkut të Korçës Nertil Jole, këtë të enjte ka mbledhur të gjitha strukturat për marrjen e masave paraprake për menaxhimin e emergjencave civile verore, rasteve të fatkeqësive natyrore në luftën kundër zjarreve dhe në mënyrë të veçantë ndaj zjarr vënieve të qëllimshme.
Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Cako i cili bëri të ditur se nga ana e qeverisë është akorduar një fond i posaçëm për menaxhimin e zjarreve si dhe zvogëlimin e riskut të tyre.
Ky takim vjen si konkluzion i një vazhde takimesh në çdo bashki të organizuara nga prefekti me strukturat e gjendjes civile ne funksion te masave parapërgatitore për sezonin veror dhe sipas prefektit Jole edhe ky takim ka si qëllim evidentimin e masave dhe minimizimin e pasojave negative në raste të fatkeqësive natyrore.
Gjatë vitit të kaluar në qarkun e Korçës janë shënuar gjithsej 130 zjarre në sipërfaqe pyjore dhe kullota ndërsa është dashur për fikjen e tyre ndërhyrja e 1800 forcave zjarrfikëse dhe 190 mjeteve.