“Në PD nuk ka thjesht krizë politike”, Gjekmarkaj: Disa kanë humbur karrierën, por kur ka pasur reflektim…

Gjekmarkaj

Deputeti Agron Gjekmarkaj, në fjalën e tij në Kuvend u shpreh se opozita prej muajsh ndodhen në një konflikt në të cilën janë përplasur dy mentalitete.

Ai theksoi se kjo krizë mund të tejkalohet kur të shfaqet një mendësi e re, ndërsa theksoi: “Ne të PD na ka lodhur pushteti i munguar”

“Më ka intriguar gjithmonë vdekja e Sokratit si çmim që paguhet në emër të së vërtetës. Vuajtja dhe rikthimet, vdekja e tij përsëritet si metaforë dhe i ka ndihmuar njerëzit të reflektojnë mbi banalitetin dhe luftën që lindin në një mendje. Dikur me militantizëm që ka shumë pasion dhe pak arsye i kam lexuar sjelljet e saj, militanti ndizet. E kam provuar së brendshmi këtë ndezje. Më vonë jam rigjendur në të me modesti dhe dëshirë për të kontribuar në murin e madh. Ajo që po ndodh brenda partisë kryesore të opozitë është tregues antropologjik i kulturës në vend. Kjo krizë nuk mund t’i ikë kësaj sallë.

PD ka lindur si parti që lufton komunizmin format e të cilit zhvilloheshin brenda saj. Disa kanë humbur karrierat dhe të mirat që sjell duke pësuar fatin e Sokratit. Sot pas 32 vitesh është një kapërcyell ekzistencial. Në konfliktin disa mujor nuk jemi sot në këtë pikë se përplasen dy mentalitete, në këtë pikë na ka çuar lufta civile brenda të njëjtit mentalitet. Kriza tejkalohet kur shfaqet një mendësi e re. Zërat e shumtë i japin fytyrë krizës , por edhe mund ta zgjidhin atë. Ne të PD na ka lodhur pushteti i munguar…Përballë çfarë kemi ne si opozitë, një absolutizëm interesash, heshtje, pushtetin që lodh gjithë Shqipërinë”, tha ai.

Fjala e plotë e deputetit Agron Gjekmarkaj në Kuvend:

Disa herë jam ngjitur në këtë foltore për tu marrë me mënyrën sesi Qeveria e menaxhon jetën publike me një sens kritik si logjikë opozitare. Sot jam këtu për një gjë me ndryshe.

Unë besoj se krizat që kalojnë partitë e mëdha të cilat udhëheqin pushtetin apo opozitën në vend i përkasin gjithë shoqërisë! Duket sikur një palë digjet e tjetra ngrohet por ato në fakt krijojnë efektet e rrezatimit atomik duke prodhuar deformime afatgjata. Zakonisht krizat mbyllin ose përkufizojnë një epokë . Ato bëhen lajmëtarët e një tjetre e cila mund të bëhet më e mire ose shumë më e keqe.

Dua t’ju kujtoj në histori të shkurtër.

Në vitin 390 para Krishtit Athina, e mundur së fundmi nga Sparta në Luftën 30-vjeçare të Peloponezit, është një qytet në krizë. Humbja në konfliktin më të rëndësishëm në historinë greke vuri në pikëpyetje vetë sistemin demokratik të polisit, të përsosur nga burrështetasi Perikli.  Në fakt, në vitin 404 Sparta favorizoi një pikë kthese në sistemin kushtetues të Athinës me lindjen e qeverisë së Tridhjetë Tiranëve, të kryesuar nga Kritias. Përvoja oligarkike e Athinës zgjati vetëm tetë muaj, derisa Trasibulo udhëhoqi fraksionin pro-demokratik në rivendosjen e formës tradicionale të qeverisjes së qytetit. Megjithatë, një nga aktet e para të demokracisë së rivendosur është dënimi me vdekje i Sokratit në vitin 399, i konsideruar si armiqësor ndaj vlerave të Athinës.

Më ka intriguar gjithmonë vdekja e Sokratit si çmim që paguhet në emër të se vërtetës. Po kaq psikologjia e turmës  pasi e kanë hequr qafe, vuajtja dhe mundimet e saj për tu rikthyer nga turmë në shoqëri e cila kërkon përsëri Sokratin.Vdekja e tij e cila përsëritet si metaforë , si dialektikë e përpjekjes , i ka ndihmuar njerëzit gjithmonë që të reflektojnë mbi qeverisjen vertikale, mbi çezarizmin në politike, mbi dekadencën , tribalizmin, banalitetin, violencën  dhe luftën të cilat lindin në një mendje për të pushtuar ato të një grupi, organizate apo të krejt një populli. Përkatësinë time në Partinë Demokratike e kam përjetuar gjithmonë në mënyra të ndryshme qëkur jam anëtarësuar në të në kodrat plot iluzione të qytetit Studenti pas referendumit të vitit 1994 ! Dikur me militantizëm i cili ka shumë  pasion e më pak arsye i kam lexuar sjelljet e saj. Militanti ndizet , kur i thuhet se po bashkëpunon me armikun e kur atë ja thotë Lideri edhe më shumë! E kam provuar se brendshmi këtë ndezulli  e furi për “armiqtë e shumtë” që partia jonë mbajti në gji. Urrejtja paguan më shpejt se dashuria.

Me vonë jam rigjindur në të me modesti , kriticizëm e dëshirë për të kontribuar, për të vënë ndonjë ide në murin e madh ku prej 32 vitesh mijëra demokratë e bëjnë, herë me qetësi e herë me pezem, duke ikur e duke u rikthyer. Por ajo që po ndodh brenda partisë kryesore të Opozitës gjatë këtyre muajve nuk është thjeshtë një krizë politike por një tregues i fortë antropologjik i kulturës politike në vend ! Ajo nuk mund ti ikë kësaj salle.

PD ka lindur si parti që ju kundërvu absulutizmit dhe teksa bënte ketë beteje shpesh binte vete në pozita absulutizmi ! Gjitheaq ka lindur si parti qe lufton komunizmin forma të të cilit zhvilloheshin edhe  brenda saj. Por të zgjon krenari fakti që s’kanë munguar kurrë gjatë këtyre viteve individët dhe grupet që janë përballur me këtë mendësi! Disa kanë humbur karrierat dhe të mirat që ajo sjell duke pësuar simbolikisht fatin e Sokratit! Kur ka pasur reflektim për  kushtrimin e lëshuar ajo është bërë më demokratike dhe Shqipëria po aq, ajo është bërë fituese e Shqipëria po kaq ka fituar . Sot pas 32 vitesh ajo është në një kapërcyell ekzistencial, mes ideve të reja dhe tabuve të vjetra, individit  dhe kohës, gjykatës dhe ndjesisë popullore !.  Por në konfliktin disa mujor nuk jemi sot në këtë pike,  per fat te keq , se përballen  dy mentalitete, një i ri e një tjetër i vjetër, një me demokratik e një tjetër me autokratik, jo e përsëris , në kete pike na ka çuar ” lufta civile” brenda të njëjtit mentalitet e mendësi. E reja , e ndryshmja, demokracia universale nuk zë në truallin e unit , në tokën që ujitet vetëm me interesa personale të cilat ambalazhohen si kauza të përbashkëta. Kriza tejkalohet kur shfaqet një mendësi e re qofte edhe minoritare në fillim.

Në PD sot gjithkush flet për gjithçka! Në PD sot s’ka tabu nuk ka as mite thjesht një muze i përkohshëm për to.

Zërat  e shumte i japin fytyrë krizës por edhe mund ta zgjidhin atë!! Il potere logora a chi non c’e’ la thoshte Andreoti  dhe vërtetë ne të PD-së na ka lodhur e konsumuar pushteti i munguar  me shpresën që e gjithë kjo shërben për të ndryshuar kulturën politike ne vend. Kjo ndodh nëse turma nuk kërkon gjithmonë  kokën e Sokratit. Përballë çfarë kemi ne si opozite? Një absulutizëm interesash! Hermetizem, heshtje , Individin dhe masën, pushtetin dhe nënshtrimin ndaj tij, pushtetin që nuk lodh bartesin e tij por gjithë Shqipërinë. Dy anë të një mentaliteti, njëra në krizë se nuk ka pushtetin , tjetra ka vënë në krize vendin me pushtetin pa kufi, njëra tenton të dalë prej unit sepse nuk ndan pushtet, tjera pranon unin nga peshe e pushtetit, duke pritur krizën si çështje kohe. Njëra është ana  ime tjetra ana juaj. E para jep më shpresë , e dyta e vë në diskutim atë ! Kudo kriza  e demokracisë  dhe e partive ka rrjedhur nga prishja morale. Politikani që gënjen, që betohet rrejshëm, që jep shembuj të jetës abuzive , që sulmon rendin kushtetues, jo vetëm  do duhej akuzuar dhe përjashtuar nga loja e pushtetit, por  duhej goditur menjëherë nga verdikti i padiskutueshëm i opinionit publik! Opinioni ynë publik është nën diktat nuk është shndërruar ënde në diktat. Kriza te tilla parandalohen me refuzim estetik, etik dhe politik. Ato i bën shoqëria sa herë ta gjykojë si krim vrasjen e Sokratit.

Arena e Lajmit

“Në PD nuk ka thjesht krizë politike”, Gjekmarkaj: Disa kanë humbur karrierën, por kur ka pasur reflektim…

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook