Reali i Madridit dhe Liverpuli do të përballen për herë të tretë në historinë e tyre në finalen e një Kupe Kampionesh/Ligë Kampionesh. Këtë herë takimi është fiksuar për datën 28 maj në Paris, atje ku u luajt edhe finalja mes tyre në sezonin 1980-’81 dhe triumfonin pikërisht anglezët (1-0).
Dueli i dytë në aktin e fundit është ai katër viteve më parë në Kiev, me madrilenët që ngritën trofeun e 13-të dhe të fundit prej atëherë. Shtatë prej tyre kanë ardhur në formatin aktual të Champions-it dhe njërin e ka sjellë Karlo Ançeloti në sezonin (2013-’14). Madrilenët gëzojnë një rekord perfekt në finalet e formatit Champions: 7 fitore në po kaq ndeshje, duke pasur një rekord perfekt në historinë moderne të këtij turneu. Por hera e fundit që ata janë mundur në një finale të këtij kompeticioni ishte pikërisht ajo disfatë në Paris kundër anglezëve 40 vite më parë.
SITI, NJË TJETËR FAVOR? – Nga finalja na ndajnë edhe 22 ditë, por skuadrat e Klopit dhe Ançelotit do të mbërrijnë deri në Paris në situata të kundërta. Ndërsa Reali e hipotekoi titullin që javën e shkuar kundër Espanjolit, Liverpuli lufton në dy fronte të tjera: Premier Ligë dhe Kupën FA. Madrilenët kanë edhe 4 ndeshje në La Liga, duke nisur nga derbi me Atletikon të dielën në “Wanda”, përpara sfidës me Levanten të enjten dhe do të udhëtojnë drejt Kadizit 3 ditë më vonë, për ta mbyllur me Betisin në shtëpi.
Janë teste që do të shërbejnë që skuadra vetëm të ruajë formën deri në ditën e finales dhe është një luks që Liverpuli nuk e ka. Dhe Siti mund t’i bëjë një tjetër nder spanjollëve, duke i mbajtur rivalët në presion deri në javën e fundit të Premier Ligës, me diferencën prej 1 pike në klasifikim që i ndan prej javësh.
Skuadra e Klopit pret Totenhemin të shtunën, përpara transfertës me Aston Vilën të martën. Më 17 maj kanë transfertën me Sauthemptonin dhe e mbyllin sezonin e Premier Ligës ndaj Uolvesit në shtëpi më 22 maj. Mes këtyre, është edhe finalja e Kupës FA më 14 maj kundër Çelsit. Por motivimi i tyre është shumë herë më i madh se i Realit. Skuadra që do të luajë çdo minutë të mundshme të këtij sezoni, mund të arrijë të bëjë diçka që se ka bërë askush në histori deri më sot: t’i fitojë të katër trofetë e një sezoni.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – Arena e Lajmit