Një vjedhje ka ndodhur gjatë natës në fshatin Gjashtë të Sarandës, teksa policia ka nisur hetimet. Gazetarja Shpresa Dine raportoi se është vjedhur kasaforta e kompanisë së materialeve të ndërtimit në pronësi të biznesmenit Përparim Dauti, 62 vjeç.
Autorët kanë marrë dhe më pas hapur kasafortën, por kanë gjetur vetëm 15 mijë lekë të reja dhe disa dokumente. Këto të fundit ata mësohet se i kanë hedhur sërish dhe janë sekuestruar nga policia.
Janë këqyrur pamjet filmike dhe fiksuar prova në vendin e ngjarjes. Janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 7 persona dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve.
“Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pasi më datë 19.05.2022, gjatë natës, në fshatin Gjashtë, Sarandë, në biznesin e shtetasit P. D., 62 vjeç, banues në Sarandë, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një kasafortë dhe një shumë parash.
Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.