Besëlidhja do të jetë sot mysafire e Erzenit, që e ka arritur objektivin madhor. Lezhjanët shpresojnë që të përfitojnë nga ky çlirim i shijakasve, pasi u duhet fitorja për t’i shpëtuar zonës “play out”. Trajneri Alban Bruka, për “Panorama Sport, përpara kësaj sfide u shpreh:
“Kohës për rikuperimin e gabimeve u erdhi fundi. Jemi të detyruar që sezonin ta mbyllim me sukses në Shijak, pasi pozicioni ynë në tabelë është disi delikat, ku mund të përfundojmë në ‘play out’, që është e padëshirueshme.
Kjo është zonë shumë e rrezikshme dhe për të shmangur këtë na duhet që ndaj Erzenit të japim mbi mundësitë tona.
Në Shijak shkojmë të qetë. Besëlidhja ka treguar se ndaj të mëdhenjve luan si e barabartë dhe këtë traditë do ta shpalosim edhe në ‘Tofik Jashari’.
Erzeni tashmë e ka shkruar vetë historinë e këtij sezoni, ndaj i urojmë suksese në elitën e futbollit tonë sezonin e ardhshëm”.
– Arena e Lajmit