Analisti Artur Zheji, i ftuar në emisionin “Open” nga Eni Vasili, në News 24, u shpreh se pas deklaratave të ambasadores Yuri Kim, kuptoi se Shqipërisë i duhet një “arkitekt amerikan” për “t’u rindërtuar”.
“Ka rënë në sy sulmi i paprecedentë i kryeministrit mbi SPAK duke thënë në çdo frymëmarrje që nuk është sulm, ‘se e mbështes SPAK, por’… dhe me ‘por’ përmbys atë që thotë.
Nga Kim kuptova gjë tjetër më të rëndësishme, Shqipëria ashtu si një godinë që ka rrënime dhe nuk ndërtohet dot, ka nevojë për një arkitekt të huaj, në këtë rast Kim është ekzekutuesja e projektit të arkitektonik të Departamentit të Shtetit në Shqipëri.
Kemi sovranitet të kufizuar nga ç’ka kemi deleguar vete dhe nga paaftësia rrënuese për tu vetëbërë si komb i klasës politike.
Misionin amerikan me dakordësinë dhe kërkesën tonë, për disa nga punët e shtëpisë që s’dimë të bëjmë ose jemi shumë të korruptuar, do i bëjë arkitekti amerikan.
Rama e ka mbaruar misionin e vet në raport me arkitektin dhe praktikisht po godet majtas. Fakti është që në Europë kudo ka hyrë SHBA ka pas mbarësi, Europa e rrënuar u rizgjua dhe u bë sot kjo që është me arkitektë amerikanë, kemi nevojë për arkitektë për ngritje ekonomike”, tha Zheji.