Goli i tij do të mbahet mend gjatë, jo vetëm për faktin se ishte i mrekullueshëm, por se i dha titullin kampion bardhebluve në derbi. Bëhet fjalë për Enur Totren, i cili në një intervistë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, ndan emocionet e tij për rrjetën e realizuar dhe kampionatin e zhvilluar. Këtë triumf ia dedikon gjithë skuadrës, ndërkohë që u premton besnikëri bardhebluve në kupat e Europës. Mesfushori kërkon tani që të shkojnë sa më gjatë në Europë, me shpresën që të sigurojnë edhe grupet.
Enur, si ndiheni të shënoni golin e titullit dhe për më tepër në derbi?
Sigurisht jam shumë i lumtur për golin, por ne gjatë gjithë sezonit kemi treguar cilësi dhe mundet të bëjmë akoma më mirë. Më vjen mirë që fituam kampionatin në një derbi, ku edhe ta planifikonim nuk do të shkonte kështu. Tani shpresojmë të vazhdojmë kështu edhe në garat europiane.
Çfarë note do t’i vini skuadrës dhe vetes suaj këtë sezon?
Me stafin e mrekullueshëm që kemi dhe lojtarët me cilësi, mendoj që mund të bëjmë më shumë se kaq. Dhe në garat europiane mund të arrijmë diçka.
Si ju duk atmosfera?
Kemi luajtur katër derbe, por të them të drejtën në Tiranë përjetohet pak më mirë. Edhe në Elbasan atmosfera ishte shumë e mirë, por në Tiranë është diçka tjetër.
Kujt ia dedikoni këtë trofe?
Triumfin e meriton i gjithë ekipi, stafi, presidenti, drejtori sportiv. Këtë punë e kemi nisur para një viti dhe merita është e të gjithëve. Totre do të vazhdojë me Tiranën edhe në Kupat e Europës? Sigurisht që po.
Cilat do të jenë synimet në Europë?
Ne mund të kemi synime të shkojmë sa më lart. E dimë që ka ekipe të forta, por ne do të japim maksimumin, pse jo në Europë apo Konferencë Ligë.
VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit