Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj, ishte padiskutim njeriu i ndeshjes në takimin ku Boluspori fitoi me rezultatin 2-1 ndaj Samsunsporit ku Balaj realizoi një dopietë për skuadrën e tij, Boluspor ditën e djeshme. Gjatë një lidhjeje direkte nga Turqia, Balaj ka folur për kiminë që ka me mesfushorin e Kombëtares, Odise Roshi, grumbullimin me Shqipërinë dhe duke i dhënë një mesazh Vllaznisë:
Kimia me Roshin – “Unë dhe Roshi jemi më të vonë, u jemi bashkuar shqiptarëve të tjerë, Selmanit dhe Bregut, që na e kanë bërë më të lehtë ambientimin. Është një arsye më shumë që jemi bërë bashkë, ndaj zgjodhëm të jemi këtu. Na ndihmon prania e shokëve tanë, jemi tre ose katër shqiptarë gjithmonë në lojë. Kemi pasur përgjegjësi edhe kur nuk kemi arritur rezultate të mira. Po bëjmë maksimumin në ndeshjet e fundit për të siguruar mbijetesën. Roshi është njohje e vjetër imja, më shumë kam përfituar unë nga ai. Shpresoj që partneriteti ynë t’i japë sa më shumë pikë skuadrës.”
Grumbullimi në ndeshjet e Kombëtares – “Shpresoj që të jemi në formën më të mirë dhe, nëse do të jemi pjesë e Kombëtares, të bëjmë më të mirën. Në Kombëtare vijnë lojtarët që kalojnë formën më të mirë, trajneri bën zgjedhjet e tij. Ne duhet të bëjmë maksimumin dhe t’i lëmë hapësirë vetes për ftesë në Kombëtare.”
E ardhmja – “Vllaznia? Ndoshta më shohin në Shkodër më shpesh dhe duan të jem pjesë e Vllaznisë. Të shohim çfarë do të ndodhë, kontrata ime është deri në fund të sezonit. Lojtarët që luajnë në Serinë etj., e meritojnë ftesën në Kombëtare, sepse luajnë në liga të forta. Futbolli të sjell situata ku nuk dëshiron të jesh, por me punë dhe përkushtim mund të arrijmë në Kombëtare. Nuk jam lojtar i ri, trajneri më njeh. Kur ka menduar se mund të jap kontribut, me ka grumbulluar. Zgjedhjet mbeten në dorë të trajnerit dhe ne duhet të bëjë më të mirën sa herë që na jepet mundësia.”
Urimi për Vllazninë – “I uroj fitoren Vllaznisë ndaj Kukësit e sidomos trajnerit Plori, të cilin e kam pasur trajner te moshat e Vllaznisë.”, përfundoi Bekim Balaj për “SuperSport”.
– Arena e Lajmit