“Presioni të bën të gabosh, të ruajmë qetësinë”, Plori do një Vllazni cinike: Kukësi duhet mposhtur patjetër!

Trajneri i Vllaznisë, Elvis Plori, shpreson dhe beson se ekipi i tij do të dalë fitues në përballjen e sotme kundër Kukësit. Ky takim do të jetë shumë i rëndësishëm për të dyja ekipet pasi është një sfidë direkt për Europën. Plori ka folur përpara ndeshjes duke u shprehur për rëndësinë që ka marrja e trepikëshit në këtë sfidë. Ai u ankua edhe për gjyqtarët duke thënë se kanë ndikuar në rezultatet e Vllaznisë, ndërsa kërkon që gjykimi të mos ndikojë në sfidën e sotme.

ELVIS PLORI 3

Një sfidë vendimtare për një vend për në Kupat e Europës?

Duke parë situatën dhe mundësinë, mendoj se do të jetë një sfidë interesante pasi pretendojmë Europën. Duke parë ngjeshjen e skuadrave për Europë, është shumë interesante e do të jetë një ndeshje e bukur për të gjithë, por shpresojmë që të fitojmë.

Pra, Vllaznia do të luajë vetëm për fitore?

Patjetër. Duhet të fitojmë nesër (sot), e kemi vlerësuar Kukësin, por kemi mundësi edhe ne. Duhet të jemi me këmbë në tokë, por duhet të shtojmë entuziazmin për të shënuar. Është vendimtare si ndeshje sepse është një kundërshtar direkt.

Vllaznia është kampione e barazimeve në këtë sezon…?

Kemi gabuar shumë para porte, por kemi krijuar shumë raste. Dinamo ka bërë keq në këtë sezon për sa u përket pikëve të fituara, por ka dhuruar dhe ka luajtur futboll. Ndaj nesh luajtën futboll, por gabuam ne dhe mund të ishim më mirë në renditje. Po vuajmë për të shënuar. Ishim entuziastë, por nuk patëm as fat. Po të jepej ajo penalltia, gjithçka mund të ndryshonte.

Sa e vështirë është për të përfunduar të tretët?

Duhet të mendojmë për atë vend që të dërgon në Europë. Nëse vëmë re, Kukësi, Partizani dhe ne kemi gabuar. Ekipet janë njësoj dhe presioni për Europën të bën të gabosh. Duhet të ruajmë qetësinë për të marrë më të mirën e lojtarëve në këtë periudhë.

Ndeshja do të luhet në një orar të përshtatshëm…

Orari i ndeshjes është një bonus, por edhe stadiumi. Duhet të kërkojmë lojë sulmuese e të jemi agresivë para portës. Në shumë raste e kemi tepruar me altruizmin, por duhet të jemi cinikë para porte. Duhet të guxojmë më tepër, por duhet të jemi edhe të kujdesshëm. Nëse arrijmë Europën nga kampionati do të jemi të qetë në finalen e Kupës. Për këtë jam munduar që t’i mbaj lojtarët të qetë, që të mendojnë për kampionatin.

Mungesat do të kenë sërish ndikimin e tyre?

Gjurgjeviç u dëmtua në stërvitjen e kaluar para Dinamos dhe nuk do të jetë as këtë javë. Latifi ka pasur një dëmtim të rëndë ndaj Skënderbeut, por pas ndeshjes ka ndier dhimbje. Dje u mundua të ishte aktiv, por ishte e pamundur. Do të provojmë edhe sot e shpresoj ta kemi të paktën në stol.

Cili është mendimi juaj për arbitrimet?

Të them të drejtën, janë bërë shumë. Ne analizojmë çdo ndeshje dhe pavarësisht gabimeve tona, janë edhe gabimet e arbitrave që kanë ndikuar në rezultat, jo vetëm tani, por edhe më përpara. Për Dinamon ishte ndeshja e fundit që shpresonte të qëndronte në Superiore dhe një Vllazni që lufton për Europën, e gjyqtari nuk merr mundimin ta shikojë në VAR… Është një problem pasi edhe ndeshja me Skënderbeun shkoi kështu, edhe ndaj Teutës po kështu edhe me Kastriotin. Nuk mund të them që janë orientim nga lart, mund të jenë edhe gabime, por ato raste ndikojnë, pasi diferencat janë të vogla te skuadrat tona.

ADMIR URUÇI – Arena e Lajmit


“Presioni të bën të gabosh, të ruajmë qetësinë”, Plori do një Vllazni cinike: Kukësi duhet mposhtur patjetër!

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook