Këngëtari indian Krishnakumar Kunnath, i njohur gjerësisht si KK, ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare.
Dyshohet se artisti ndërroi jetë si pasojë e një ataku në zemër pak orë pasi zhvilloi një koncert këtë të martë. Menjëherë kanë reaguar në rrjetet sociale fansat e tij, dhe kryeministri indian Narendra Modi.
“Këngët e tij pasqyronin një gamë të gjerë emocionesh, duke u prekur nga njerëzit e të gjitha grupmoshave.Do ta kujtojmë gjithmonë përmes këngëve të tij. Ngushëllime familjes dhe fansave të tij”– shkruan Modi në Twitter.
Sipas Times of India dhe mediave të tjera lokale, Kunnath nuk u ndje mirë ndërsa performonte në një koncert në Kalkuta. Pas shfaqjes, ai thuhet se u ankua se ndihej jashtëzakonisht i ftohtë dhe donte të kthehej në hotelin e tij.
Ai u dërgua me urgjencë në spital nga hoteli i tij pasi u rrëzua rreth orës 22:30, ku mjekët e shpallën të vdekur, raportoi gazeta.
Mijëra fansa shkruajtën homazhe në faqen e tij në Instagram , në një foto të Kunnath-it duke kënduar përpara një turme të zhurmshme e postuar më herët gjatë ditës. Ai ka lënë pas gruan, një djalë dhe një vajzë.