Një ditë pas finales së Conference League, ku Roma triumfoi ndaj Feyenoord, Tirana është zgjuar e qetë dhe pa tensione.
Nga terreni, gazetari Igli Çelmeta raporton për “BalkanWeb” se një pjesë e tifozëve janë larguar nga Shqipëria menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, por ka pasur edhe nga ata që kanë qëndruar në Tiranë, duke frekuentuar disa bare.
Shumica e tyre kanë qëndruar në zonën e Pedonales, ku kanë konsumuar pije alkoolike, ndërsa nuk janë përjashtuar edhe tensionet.
Siç raporton gazetari Çelmeta, ka qenë një tifoz i Feyenoord, i cili në gjendje të dehur është konfliktuar me disa persona, por që është neutralizuar nga policia. Ndërkohë, shumica e tifozëve janë larguar nga Tirana mëngjesin e sotëm.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar ka pasur përplasje për uljet në stadium, por që kanë ndërhyrë forcat e policisë, duke neutralizuar situatën. Ndeshja është ndjekur edhe në lokalet e kryeqytetit, por situata ka qenë mjaft e qetë dhe nuk ka pasur përplasje.
Në total, policia ka shoqëruar rreth 65 tifozë për prishje të rendit dhe qetësisë publike, pasi kanë qëlluar me gurë e shkopinj. Ndërkohë, rreth 10 policë janë dëmtuar nga përplasjet dhe kanë marrë ndihmë mjekësore te Trauma.
Arena e Lajmit