Kukësi, në Shkodër luhet shansi i fundit për Europën

Kukësi luan sot shansin e fundit për Europën, teksa përballë Vllaznisë i bëjnë punë vetëm tri pikët për të mbajtur gjallë shpresën për vendin e tretë.

Kukesi Gashi

Në situatën ku ndodhen, edhe barazimi nuk vlen më për ta, edhe pse morën një “asist” nga Tirana, e cila ndali Partizanin. Rezultatet negative të javëve të fundit, sidomos humbja me të kuqtë në “Kukës Arena”, kanë bërë që verilindorët të mos i kenë më në dorën e tyre fatet për Europën.

Për këtë arsye, sot në Shkodër Kukësi do të luajë gjithçka për gjithçka, për më tepër që vjen me një bilanc pozitiv me ta: një fitore dhe dy barazime këtë sezon. Shansi i fundit është edhe për Diego Longon, sepse një humbje “defacto” largon atë nga Kukësi, ndonëse për inerci do të qëndrojë deri në fund të sezonit me skuadrën. Shansi i fundit është edhe për disa lojtarë, sepse nërast të një dështimi, pritet një revolucion edhe në organikë.

SITUATA – Prej javësh në Kukës situata nuk është ndër më të mirat, pavarësisht se rikthimi në stadiumin e tyre solli disi edhe entuziazmin në skuadër. Me një ritëm të një skuadre që luan për mbijetesë, kuksianët duhet të ndërrojnë marsh, por nuk pritet një sipërmarrje e lehtë për Longon. Italiani është i privuar nga dy mungesa të rëndësishme, si ajo e Edison Ndrecës në mbrojtje dhe e Pablo de Lukasit në mesin e fushës, të dy të ndëshkuar me kartonë. Nëse për Ndrecën zgjidhja është natyrale, sepse më në fund Musta mund të luajë në pozicionin e tij, e vështirë mbetet për t’u gjetur një lojtar që të zëvendësojë spanjollin, i cili është pika e referimit të lojës së Longos. Sakaq, edhe pse u rikthyen në stërvitje me ekipin pas një mungese të gjatë, Shkurtaj dhe Tafas nuk do të jenë me skuadrën gati, edhe pse përportierin ka ende një shpresë të vogël pse jo për të qenë i pranishëm të paktën në stol.

VERTIKALIZIMET – Duke parë se stili i Kukësit me pasimetë shumta nuk “ngroh” më dhe nuk po jep rezultate, pritet që ndaj shkodranëve të mos i varin shpresat te shkuarja graduale te goli. Në seancat e fundit stërvitore, Longo ka kërkuar sa më shumë vertikalizme në sulm dhe të përfitojnë nga kundërsulmi, sepse vetëm kështu mund të arrijnë te goli. Italiani ka kërkuar shpejtësi në aksione dhe shfrytëzimin e çdo mundësie që u vjen para portës, duke shpresuar tek efikasiteti në fazën sulmuese. Mbetet për t’u parë nëse direktivat e tij në stërvitje do të zbatohen si duhet apo jo në lojë.

VLADIMIR MEMA – Arena e Lajmit


Kukësi, në Shkodër luhet shansi i fundit për Europën

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook