Ish kryeministri Sali Berisha, në takimet në Kukës në kuadër të zgjedhjes së kryetarit të ri të Partisë Demokratike, ka bërë një përmbledhje të masave të marra nga qeveria, të cilat sipas tij kanë dëmtuar ekonominë e qytetarëve të Kukësit.
Ai ka përmendur heqjen e 20 mijë familjeve nga ndihma ekonomike, veprim që sipas tij është bërë vetëm si “hakmarrje” për faktin që nuk e kanë votuar qeverinë aktuale.
Berisha ka premtuar se kur PD të vijë në pushtet do të vendoset dyfishim i ndihmës ekonomike. Ai nuk ka lënë jashtë fokusit edhe anulimin e ligjit për përjashtimin nga taksat të investitorëve në zonat malore, vendim që sipas Berishës ka penalizuar të gjithë Shqipërinë.
“Kukësi me kaskadën, jo vetëm Kukësi por edhe Puka i japin vendit miliarda euro dhe nuk marrin gjë. Kukësi, Hasi, Tropoja me minierat i kanë dhënë vendit miliarda ndërsa vetë në 2005 veç aksit kombëtar nuk kishin asnjë rrugë të asfaltuar.
Kukësit Rama i hoqi brenda një viti 20 mijë familje nga ndihma sociale dhe ai nuk është se nuk kishte ardhur në Kukës, kishte bërë edhe një vizitë në Kalanë e Dodës.
Kush vjen aty i sheh të gjitha sa kon populli. Për një qeveritar të përgjegjshëm nuk mund të mendohet të hiqet ndihma sociale.
U hoqën vetëm se nuk votuan Ramën. Gjithçka do ndryshojë. Duke nisur nga renta që do rikthehet por do rikthehet edhe për hidrocentralet. Një pjesë e të ardhurave do ti takojë komuniteteve që e pësuan prej tyre. Duhet të bëhemi të drejtë.
Unë i mbaj mend të gjitha. E drejta vonon por nuk harron. Ajo do të bëhet.
Do bëhet gjithçka për nxitjen e turizmit. Është bindja ime se në Bjeshkët e Kukësit e Peshkopisë ka mundësi potenciale të shkëlqyera. Rama në një akt të parë ç’bëri? Ne vumë një ligj që ata që bënin investime në zonat malore, 8 vite do ishin pa taksa.
Kjo do bënte që të merrnin veten dhe të shtohej më tej turizmi. Rama e anuloi ligjin duke mos dëmtuar vetëm veriun, se zona malore nuk ka vetëm veriu. Ai e ktheu në bregdet për ministrat e tij për të ashtuquajturit investitorët strategjik.
Do dyfishohen ndihma sociale, do zhduket varfëria ekstreme. Nuk do të ketë më shqiptar që do të jetojë në varfëri ekstreme siç janë sot 60 mijë familje, shumica në Kukës.
Kukësi po shndërrohej në qendër universitare, ai i mbylli. Ne jemi për hapjen e universiteteve.
Vendimi i mbylljes së tyre ofron emigracionin. Ky është synimi i tij, largimi i të rinjve sepse ata nuk e duan”, u shpreh ai.
Arena e Lajmit