Gjykata e Kurbinit ka vendosur masën detyrim paraqitje për inxhinierin Mondi Turhani. Gazetari Elidon Ndreka raporton për BalkanWeb se prokurori Arben Nika dhe gjyqtari Olsi Skrame kanë vendosur detyrim paraqitje për inxhinierin e punimeve në Milot, pas ngjarjes së rëndë ku punonjësi Marku Debrova, 34 vjeç, ndërroi jetë, pasi ra nga skela e një pallati në të cilin po punonte.
Për ngjarjen policia e Kurbinit arrestua inxhinierin Durhani, ndërsa sot gjykata ka dhënë vendimin për detyrim paraqitje për të.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, arrestuan në flagrancë shtetasin M.T. 56 vjeç, banues në Tiranë, me profesion inxhinier ndërtimi tek një firme ndërtimi.
Arrestimi i tij u bë pasi, në objektin të cilin e kishte marrë përsipër firma për punimet e fasadës së jashtme, në qendër të Milotit, duke punuar, ka rënë nga taraca e objektit dhe ka humbur jetën, i punësuari, shtetasi M.D. 34 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme për vepren penale ” Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.