Alegri-Inzagi, kur rekordmeni sfidon mjeshtrin e kupave

Ndoshta do të jetë kjo e mbrëmjes së nesërme sfida e së vërtetës. Në fazën e parë, në “San Siro”, Juventusi nuk bëri ndonjë gjë të madhe, madje luajti shëmtuar edhe pse në shtesë arriti që të fitojë një penallti me Sandron dhe Dibala e vulosi takimin në 1-1.

Alegri Inzagi

Ndërkohë, në fazën e dytë, më 3 prill, zikaltrit jo vetëm që iu nënshtruan totalisht “Zonjës së Vjetër” në Torino, por Çalhanoglu me një penallti të përsëritur dy herë në minutën e pestë shtesë të pjesës së parë i dha tri pikë që as vetë interistët ndoshta nuk i prisnin, duke parë paraqitjen e tyre ndoshta më të vakët sezonale.

Dhe pse jo, mbrëmjen e nesërme në “Olimpikon” e Romës, me rastin e finales së Kupës së Italisë, do të kuptojnë nëse me të vërtetë Juventusi është në nivelin e Interit. Dhe nëse mund të pretendojë titullin nga sezoni i ardhshëm, pa harruar këtu se më 12 janar, skuadra e Simone Inzagit (fitoi 2-1) ngriti pikërisht përballë bardhezinjve edhe Superkupën e Italisë, me një gol të Aleksis Sançezit, në minutën 121, pas një dhurate të Sandros.

REKORDMENI

Ndonëse për të dy ka pasur shumë kritika, Masimiliano Alegri dhe Simone Inzagi janë të vendosur që të vazhdojnë mbi idetë e tyre dhe nuk duket se kanë ndërmend të ndërrojnë. Edhe pse e akuzojnë se Juventusi luan keq dhe se mbi të gjitha ka fikur edhe një bomber si Dushan Vlahoviç, “Konti Maks” me këtë stil do të kërkojë nesër në “Olimpiko” që të shndërrohet në rekordmenin e Kupës së Italisë.

Deri tani 54-vjeçari numëron 4 trofe të tillë, madje të fituar edhe për 4 sezone radhazi si askush tjetër. Gjithsesi, me 4 Kupat e Italisë në palmaresin e tij, këtë primat Alegri e ndan me Roberto Mançinin (1 me Lacion dhe 3 me Interin) dhe Sven Goran Eriksonin (1 me Romën, 1 me Sampdorian dhe 2 me Lacion), dy ish-lacialë ashtu si Simone Inzagi që kanë shënuar pa dyshim karrierën edhe të trajnerit aktual të Interit.

SPECIALISTI

Dhe nëse Alegri luan për rekord, Inzagi mund të quhet pa dyshim një specialist. Nëse një turne ka në fillim, në mes apo në qendër fjalën “Kupë”, ai di se si të ekzaltohet së bashku me skuadrat e tij, që kur ka nisur karrierën e trajnerit.

Madje, shifrat thonë se që nga viti 2013, kur stërviste të rinjtë e Lacios, në 9 finale të luajtura, Simone Inzagi ka fituar 7 të tilla (2 Kupa Italie dhe një Superkupë mes viteve 2013-2015 me Lacion e të rinjve, plus 2 Kupa dhe 1 Superkupë me ekipin e parë të Lacios, ashtu sikurse Superkupa e sivjetshme ndaj Juves në stolin e Interit).

Me pak fjalë, ndeshja është e gjitha për t’u ndjekur, duke ditur në të njëjtën kohë se zikaltrit dhe Simone Inzagi në “Olimpiko” kanë detyrën që të thyejnë edhe një tabu 63-vjeçari. Pikërisht këtu, sepse në dy finale që “Zonja e Vjetër” ka luajtur ndaj zikaltërve në histori, milanezët i kanë humbur të dyja: 4-1 në vitin 1959 dhe 1-0 në vitin 1965.

Fundja, tradita është e gjitha nga ana e Juventusit me 14 trofe të fituar, por edhe ajo që ka luajtur çmendurinë e 21 finaleve. Ndërkohë, Interi do të kapet fort te data e ndeshjes, 11 maji, duke qenë se në vitin 2006 fitonte Kupën e Italisë ndaj Romës.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – Arena e Lajmit


Alegri-Inzagi, kur rekordmeni sfidon mjeshtrin e kupave

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook