Interit i është dashur të bëjë pa Alesandro Bastonin në tri ndeshjet e fundit dhe situata nuk ka qenë e lehtë për zikaltrit.
Ndërkohë që mbrojtësi duket se ka lënë pas dëmtimin dhe mund të jetë i gatshëm për t’u rikthyer në dispozicion të Inzagit për finalen e nesërme ndaj Juventusit, zikaltrit kanë pësuar gol në të pesta ndeshjet e fundit, diçka që nuk ndodhte që nga tetori dhe që ka nxjerrë në pah brishtësinë e skuadrës së Inzagit.
PERIUDHA NEGATIVE – Interi ka pësuar 7 gola në 5 ndeshjet e fundit, por nëse e thellojmë më tej krahasimin dhe fokusohemi tek Interi me dhe pa Bastonin, shifrat mund të jenë alarmante. Në 3 ndeshjet që ka munguar italiani, zikaltrit janë detyruar ta nxjerrin topin nga rrjeta 5 herë, aq herë sa kishte ndodhur në 10 javët e fundit në të cilat Bastoni kishte zbritur në fushë. Duket gjithashtu se mungesa e mbrojtësit të majtë përkoi edhe me një moment jo të mirë të shokëve të tij të repartit, aty ku shpëton vetëm Shkriniar.
Dimarko, në prapavijë nuk ka mundur të plotësojë boshllëkun që ka lënë Bastoni, por më negativ nga ana tjetër është momenti i De Vrajit, shpërqendrimet e të cilit ndaj Napolit, Milanit e Lacios u kanë kushtuar jo pak zikaltërve, të cilët mund të kishin paguar edhe përgjumjen e holandezit të premten ndaj Asllanit. Pikërisht ndaj Empolit topat e humbur nga tre qendërmbrojtësit e Interit shkuan në 23, shumë për një ekip që përveçse nuk mund të lejojë asgjë pas, është mbrojtja më e mirë e kampionatit.
BASTONI – Përveç efektit në mbrojtje, Xheri ka ndikim edhe në performancat totale të Interit. Me të skuadra ka më shumë ekuilibër, është ai që mban të bashkuar mbrojtjen, pa lejuar që projeksioni i tij i shpeshtë ofensiv të prishë balancat e skuadrës. Për rrjedhojë, Interi ka një mesatare prej 2.3 pikësh për ndeshje me Bastonin, ndërkohë që në ndeshjet pa të mesatarja zbret në 1.6. Një tjetër variabël janë golat.
Me Bastonin Interi shënon 2.3 gola për ndeshje dhe pëson 0.7 të tillë, ndërkohë që pa të në fushë, skuadra zikaltër pëson dyfishin. 1.4 gola për ndeshje ka pësuar Interi në 7 mungesat e tij totale në kampionat, duke pasur rendiment negativ edhe në ata të shënuar me një mesatare prej 1.7 golash për ndeshje. Jo më kot zikaltrit janë të paduruar për të parë Bastonin në finale, aty ku ndaj një kundërshtari aspak komod si Juventusi Inzagi do të ketë nevojë për më të mirët.
Përgatiti: NISLI GJINI – Arena e Lajmit