Moviola e javës së 33-të në Kategorinë Superiore/ Ndërkombëtarët dhe VAR-i e bëjnë baltë, mohojnë penallti

Gabimet e gjyqtarëve sa vijë e trashen në këtë fund kampionati. Ishte menduar se VARi do t’i zgjidhte këto probleme në futbollin shqiptar, aq më shumë në fundin e sezonit kur vendosen verdiktet.

VRMomenti i penalltisë së pretenduar nga Partizani me Skukën

Çuditërisht, VAR-i e nisi mirë rrugëtimin e tij, por më pas trajektorja erdhi drejt rënies duke kapur edhe kufijtë e banalizimit, ku protagonistët kanë nisur të kapen me trashësinë dhe sa të drejta janë vijat shpjeguese të VAR-it.

Tani nuk shikojnë më as elita e arbitrave që i shëtisim në arenën ndërkombëtare, pasi pikërisht këtë si Jorgji dhe Hamiti janë ndër më të anatemuarit dhe të akuzuarit nga zyrtarë dhe drejtues klubesh.

Java e 33-të pati edhe metodë kompensimi nga VAR-i, pasi ata që ishin më të ndëshkuarit në javët e fundit, u dukën si më të përkëdhelurit.

Nëse teknologjia ia shtyu festën dy javë radhazi Tiranës, në derbi u duk se i hapi shampanjën, pa u hequr meritat sezonale bardhebluve. Skënderbeu “ra nga kali” këtë javë, pikërisht nga gabimet e ndërkombëtarit Jorgji.

“Panorama Sport”ju sjell të gjitha rastet e diskutueshme në javën e 33- të në Kategorinë Superiore:

PARTIZANI – TIRANA 1-2

Gjyqtarë: E. Hamiti (Lezhë), R. Avdo, N. Bregasi (Tiranë)/ VAR: E. Jorgji (Elbasan), D. Rexha (Tiranë)

Arbitër kryesor ishte Eldorian Hamiti, ndërsa në sistemin VAR kontrollonte Enea Jorgji. Të dy kanë gabuar në dëm të “demave”.

52’ Skuka rrëzohet gjatë një ndërhyrjeje të Hoxhallarit në zonë. Kapiteni i Tiranës niset në sparkatë, por pasi e kupton se është në kohëvonesë, tërheq këmbët dhe minimizon kontaktin me sulmuesin e Partizanit, që rrëzohet në zonë. Nga pamjet dallohet qartë një kontakt mes dy lojtarëve, por jo me intensitetin dhe forcën sa për të prishur ekuilibrin e Skukës. Gjyqtari Hamiti akordoi penallti dhe karton të verdhë për Hoxhallarin në momentin e parë, por Jorgji në VAR e sinjalizon për ta parë rastin. Më pas, Hamiti me të drejtë anulon penalltinë dhe kartonin e verdhë për Hoxhallarin. Gjithsesi, Hamiti duhet të ndëshkonte Skukën me kartonin e dytë të verdhë për “aktrim”.

76’ Albion Marku rrëzohet në zonë në një duel me Behiratçen. Pamjet filmike tregojnë se Behiratçe shkaktoi faull, por për Hamitin në fushë dhe Jorgjin në VAR nuk kemi të bëjmë me penallti. Gabim i arbitrave, duhej dhënë 11-metërsh për të kuqtë. Ndërkohë, pak minuta më parë, ishte pretenduar për prekje me dorë të Behiratçes në zonë, por VAR-i konstatoi se nuk i kishte pamjet e duhura për të ndërhyrë. Gjithsesi, mbetet gjithçka e dyshimtë.

VLLAZNIA – KUKËSI 2-1

Gjyqtarë: J. Xhaja (Tiranë), A. Mahmuti (Elbasan), A. Zalla (Tiranë); VAR: K. Cjapi, I. Tartari (Fier)

I vetmi rast për moviolë në Vllaznia-Kukësi 2-1 ishte goli i fitores së shkodranëve, ku dyshohej për pozicion jashtë loje kur Heriç pasoi për Çobën. Sistemi VAR verifikoi rastin dhe rezultoi se Tabaku i Kukësit mbante në lojë sulmuesin e Vllaznisë. Ishte një rast shumë i diskutueshëm, edhe pse goli është i rregullt për çështje centimetrash.

DINAMO-SKËNDERBEU 1-1

Gjyqtarë: E. Jorgji (Elbasan), R. Çokaj (Lezhë), D. Rexha (Tiranë) VAR: I. Myrtja, J. Podgorica (Shkodër)

89’ Pusi rrëzohet në zonë nga përplasja me Sidiben. Jorgji nuk akordon asgjë dhe as s’e rishikon rastin me VAR. Nga pamjet duket që Sidibe fut këmbën dhe pengon sulmuesin e Skënderbeut. Penallti e mohuar.

90+2’ Pas një ndërhyrjeje të ashpër të Vrapit, Maliqi i Dinamos ngrihet dhe e godet nga mbrapa para syve të gjyqtarit, që mjaftohet vetëm me të verdhë për Maliqin, i cili meritonte karton të kuq.

90+7’ Një pretendim për penallti nga Dinamoja, për një prekje me dorë nga Pusi. Jorgji shkon ta shikojë me VAR dhe nga pamjet shihet që topi është ndalur në dorën e lojtarit të Skënderbeut dhe kemi të bëjmë me penallti. Vendim i drejtë.

LAÇI – KASTRIOTI 4-1

Gjyqtarë: E. Bastari (Tiranë), O. Grabova (Fier), R. Mersinasi (Tiranë) / VAR: E. Hamiti (Lezhë), A. Koçiaj (Tiranë)

34-37’ Rami harkon nga e majta, Roganoviç në zonë devijon topin me dorë dhe “sfera” përfundon më pas jashtë pa u devijuar nga askush. Protesta të krutanëve për penallti. Gjyqtari Bastari e kontrollon vetë te monitori i VAR-it dhe akordon penallti për Kastriotin. Vendim i drejtë i gjyqtarëve, pasi prekja e topit me dorë është e dukshme.

48’ Adeleke mundohet t’i shmanget Ramit në zonë, ky i fundit e mban dhe pastaj sulmuesi rrëzohet në zonë. Gjyqtari i tregon kartonin e verdhë sulmuesit për simulim. Në këtë rast gjyqtari dhe VAR-i mund të kenë gabuar pasi tërheqja e fanellës së Adelekes nga Rami është e dukshme. Vendim i gabuar.

55’ Shehu shërben në zonë për Adeleken që shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje të sulmuesit. Vendim i saktë. Rasti u pa në VAR, por e pakuptimtë vonesa treminutëshe.

65-69’ Për ndërhyrjen e Nezirit në zonë ndaj Guindosë gjyqtari Bastari akordon penallti. Në të 67-ën Guindo bëhet gati ta gjuajë nga pika e bardhë, por Bastari thirret nga VAR-i për të parë rastin dhe në fund anulohet 11- metrëshi, pasi mendohet se Guindo ka shkaktuar faull duke goditur mbrojtësin e Kastriotit. Në këtë rast, duke pasur elementët e 11-metërshit dhe që kryesori ishte i vendosur për penallti, ndërhyrja e VAR-it ishte e pakuptimtë. Penallti e mohuar për kurbinasit.

TEUTA – EGNATIA 3-1

Gjyqtarë: K. Meta, E. Doda (Tiranë), R. Malaj (Vlorë) / VAR: O. Yzeiraj (Patos), E. Ganxhi (Elbasan)

11’ Peposhi pengohet në zonë nga Krasniqi dhe gjyqtari Meta akordon penallti për durrsakët. Vendim i saktë i gjyqtarëve.

31’ Delarxh shënon, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. Pamjet janë të qarta, pasi pasimi i dhënë për sulmuesin nga mesfusha e gjen Delarxhin më të avancuar dhe gjyqtarët vepruan drejt.

Arena e Lajmit


Moviola e javës së 33-të në Kategorinë Superiore/ Ndërkombëtarët dhe VAR-i e bëjnë baltë, mohojnë penallti

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook