Juventusi dhe Interi kanë dhuruar sfida nga më spektakolaret në Itali gjatë historisë së tyre.
Atyre pritet t’u shtohet një tjetër e tillë sonte në mbrëmje, kur kampionët në fuqi të Italisë do të përballen me rekordmenët e titujve në Serinë A, këtë herë në finalen e Kupës së Italisë.
Interi për këtë ndeshje ka arritur kulmin, teksa ajo do të transmetohet në treçerekun e vendeve të botës. 170 vende, 35 telekamera dhe përfitime mes 4.5 dhe 5 milionë eurosh janë shifrat paraprake të një sfide të shumëpritur.
Finalja e sotme mes Juventusit dhe Interit do të jetë e treta në histori mes tyre në Kupën e Italisë, me bilancin që deri më tani flet për bardhezinjtë, që kanë fituar të dy finalet e deritanishme, 4-1 në vitin 1959 dhe 1-0 në vitin 1965.
– Kjo mes Juventusit dhe Interit është përballja më e shpeshtë në Kupën e Italisë. Përpara finales së sotme, dy ekipet janë përballur 33 herë mes tyre, me bardhezinjtë që numërojnë 15 suksese kundrejt 8 të zikaltërve; 5 nga 10 sfidat e fundit mes tyre në Kupën e Italisë janë mbyllur në barazim.
– Interi ka fituar dy përballjet e fundit ndaj Juventusit në takime zyrtare. Që nga lindja e Serisë A (1929- 1930), zikaltrit nuk kanë mundur të fitojnë asnjëherë tri takime radhazi kundër Juventusit në të gjitha kompeticionet. Për më shumë, vetëm Fiorentina (1940- 1941) dhe Lacio (1942- 1943) e kanë mundur tri herë radhazi Juventusin brenda një sezoni.
– Juventusi është skuadra që numëron më shumë finale në Kupën e Italisë, plot 21 të tilla, duke futur dhe këtë të sotmen. Juventusi gjithashtu është skuadra që e ka fituar më shumë këtë trofe (14 herë). Duke futur finalen e këtij sezoni, bardhezinjtë kanë arritur 7 herë në finalen e Kupës së Italisë në 8 sezonet e fundit, ku në 5 prej tyre kanë ngritur trofeun.
– Juventusi mund të bëhet skuadra e pestë në 5 kampionatet më të forta në kontinent që arrin të fitojë 15 herë kupën e vendit të vet në rast suksesi ndaj Interit sonte në mbrëmje. Barcelona (31), Atletik Bilbao (23) dhe Reali i Madridit (19) në Spanjë si dhe Bajerni i Mynihut (20) në Gjermani e kanë fituar më shumë.
– Për Interin, kjo do të jetë e dyta herë që luan një finale të Kupës së Italisë më 11 maj. Më parë kishte luajtur në finalen e vitit 2006 kundër Romës, të fituar 3-1.
– Interi nuk ka pësuar gol në 4 nga 5 takimet e fundit në Kupën e Italisë, duke përfshirë këtu tri të fundit radhazi. Herën e fundit që regjistronte këto shifra ose më mirë ka qenë në periudhën nëntor 2006 – shkurt 2007 (6 takime).
– Masimiliano Alegri mund të bëhet i pari trajner në histori që arrin të fitojë 5 herë Kupën e Italisë. Për momentin ai ndodhet në kuotë të barabartë (4) me Sven Goran Erikson dhe Roberto Mançinin.
– Simone Inzagi mund të bëhet trajneri i dytë që arrin të fitojë Kupën e Italisë nën drejtimin e Lacios dhe të Interit. I vetmi që e ka bërë deri më tani është Roberto Mançini.
– Juventusi mund të bëhet skuadra e parë ndaj së cilës Simone Inzagi pëson 10 humbje si trajner i skuadrës së parë. Nga ana tjetër, që nga debutimi i tij me Lacion në vitin 2016, ai e ka mundur plot 6 herë Juventusin.
– 14 golat e fundit të Juventusit në finalet e Kupës së Italisë në vitet 2000 janë shënuar nga 13 lojtarë të ndryshëm. Vetëm Benatia ka shënuar një dygolësh në finalen e sezonit 2017-2018.
– Nëntë nga 13 golat e Interit në finalet e Kupës së Italisë janë shënuar nga lojtarë argjentinas.
– Paulo Dibala është lojtari që ka shënuar më shumë gola në Kupën e Italisë me fanellën e bardhezinjve, 11 në 23 takime.
– Lautaro Martinez ka shënuar 11 gola në 11 takimet e fundit me Interin në të gjitha veprimtaritë.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI