Superliga e basketbollit të meshkujve mbrëmjen e së shtunës do të nisë serinë e finale për edicionin 2021- 2022, me Teutën dhe Vllazninë që do të zbresin në parket për betejën e parë në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në Durrës.
Bregdetarët, nën drejtimin e trajnerit Melzin Lazimi, siç dihet e mbyllën sezonin e rregullt në vend të parë, për të eliminuar më pas në gjysmëfinale me dy fitore Kamzën. Ndërsa në krahun tjetër, shkodranët, pasi u klasifikuan të tretët në kampionat, mposhtën dy herë Tiranën në gjysmëfinale.
Teuta, kampione në fuqi, është në kërkim të titullit të tretë. Ndërsa kuqeblutë, të cilën prej disa javësh drejtohen nga trajneri Damian Bekteshi, duan titullin e dhjetë kampion në historinë e klubit, trofe që në Shkodër mungon që prej vitit 2016.
Finalet priten të jenë tepër elektrizuese dhe me interes të lartë edhe nga shikuesit në të dyja qytetet, teksa klubet vijojnë të bëjnë apel për mbështetje në këto sfida të rëndësishme ku do të luhen fatet e një sezoni të tërë.
Teuta dhe Vllaznia në këtë edicion sportiv janë ndeshur plot 6 herë me njëra-tjetrën. Nëse në Superligë bilanci është i barabartë me nga dy fitore për secilën skuadër, peshorja anon në anën e durrsakëve nëse marrim në konsideratë ndeshjet e zhvilluara në Ligën Unike, me Teutën që ka dalë triumfuese në të dyja takimet e luajtura në eventin mbarëkombëtar.
Arena e Lajmit