Kristian Vieri ka lënë për një pasdite “Bobo Tv” dhe ka dhënë një intervistë ku ka analizuar Serinë A dhe skenaret e javëve të fundit.
Titulli: Milani 70%, Interi 30%. Jeni dakord?
Nuk ka përqindje. Atalanta në Itali mund të fitojë ndaj kujtdo, ndërsa të mos harrojmë se Kaljari po luan për mbijetesën dhe është i tërbuar. Renditja e bën Milanin favorit, por mos u habisni nëse shihni surpriza.
Si ju duk Milani në Veronë?
Shumë i fortë. E të gjithë e kemi parë se çfarë ekipi ka ndërtuar Tudori. Milani ishte në disavantazh dhe përmbysi gjithçka. Provë e vërtetë pjekurie ndaj kuqezinjve. Pioli ka dy vjet që luan për vendet e larta dhe nëse pas 36 javësh ndodhet në vend të parë do të thotë se e ka merituar.
Leao është arma e Milanit?
Të dielën ishte shkatërrimtar dhe e fitoi i vetëm ndeshjen. Pamë një version që duam ta shohim gjithmonë. Fizikisht është kafshëror, por pres më shpesh të bëjë paraqitje si ajo në Veronë.
Tonalit nuk keni nevojë t’i kërkoni të tilla gjëra.
Sivjet i jap të drejtë. Vjet kishte vështirësi sepse Milani nuk është Bresha e në “San Siro” mund ta bësh në brekë. Presioni i atij stadiumi është i madh, por duhet ta përballosh nëse luan te Milani apo Interi. Përndryshe duhet të gjesh ekipe të tjera. Nevojitet durim dhe mendoj se Tonali është e ardhmja e futbollit italian.
A mund të mjaftohet Milani me një pikë kundër Atalantës?
Gasperini kur i ka lojtarët në dispozicion fut në telashe këdo. Pioli nuk mund të luajë për barazim sepse rrezikon të humbasë. Edhe nga ana mendore nuk është mirë t’u fusësh të tilla ide në kokë lojtarëve. Pioli e di sepse ka përvojë. Te Milani është përmirësuar dhe propozon futboll të bukur.
Si e patë Interin kundër Empolit?
Interi është skuadër e madhe. Edhe nëse nuk e fiton titullin mbetet e tillë. Futbolli, fundja, i tillë është. Ndeshjen duhen luajtur sepse nëse fiton favoriti atëherë është e kotë që të zbresin në fushë. Gabime si ai i Radusë ndikojnë më tepër kur je në fund të sezonit. Po të kishte ndodhur në fazën e parë skuadra do të kishte pasur më shumë kohë për ta korrigjuar.
Sa rëndësi ka Lautaro për zikaltrit?
Pa të Interi humb shumë. Në fushë nuk zbret ekonomia, por dua të them diçka. Nëse trajneri më zëvendëson pasi shënoj dy gola unë nuk do të dilja kurrë nga fusha. Do të detyroheshin të më nxirrnin me polici.
Sa mund të ndikojë Kupa e Italisë në ndeshjet e fundit të Interit?
Kur je ekip i madh nuk luan dy herë në javë. Një organikë si ajo zikaltër është e mjaftueshme për të përballuar disa turne. Më mirë të luftojnë për titullin dhe finalen sesa të shohin të tjerët. Kupa e Italisë ka marrë vlerë e nuk snobohet më si 20 vite më parë. Në stadium do të ketë 70 mijë tifozë e lojtarët do të jenë të karikuar në maksimum.
Na thoni një element për çdo repart të kësaj Serie A?
Portier: Menja, fenomen. Mbrojtës: Bremeri, një hienë që të çan në dysh. Mesfushor: Brozoviçi sepse rritja e tij ka qenë e pabesueshme e nuk gabon më kurrë në asnjë ndeshje. Sulmues: Vlahoviçi, para se të shkonte te Juvja. Që Juvja nuk është Fiorentina është një justifikim banal sepse serbi është fantastik. Nëse luan keq skuadra, edhe lojtari në fund të fundit keq do të luajë.
Arena e Lajmit